
Ghani De Biasi i cili qëndroi në Shqipëri më shumë se kushdo trajner tjetër deri më sot, 5 vite, nga shkurti i vitit 2012 deri në qershor të vitit 2017-të, shprehet se ndihet shqiptar dhe kur vjen në Shqipëri ndihet sikur vjen në shtëpi.
“Unë ndihem shqiptarë, sigurisht që si fillim jam italian, por në kuptimin që kur vij këtu më duket sikur vij në shtëpi, ndihem mirë e kaloj kohën shumë gëzueshëm. Kam shumë miq dhe kjo është gjëja më e bukur se miqtë mbeten të tjerat harrohen”, shprehet De Biasi.
Në një intervistë për “Exclusive” në Top Channel, De Biasi rrëfen edhe momentet e para në Shqipëri si trajner i Kombëtares, por edhe çastin kur mori vesh se do të merrte drejtimin e Shqipërisë.
“Kur mësova që do të vija në Shqipëri për mua ishte një surprizë. Nuk e njihja ambientin, por kisha një motivacion shumë të madh, doja të dilja jashtë Italisë dhe të provoja një eksperiencë të re. Mendoj që fillimi nuk ishte i thjeshte, ashtu si në çdo gjë në fakt, që në fillim duhet t’i njohësh dhe të punosh me to më pas.
Sigurisht disa shqiptarë ashtu si edhe disa italian, kur shkuan jashtë vendit të tyre bën edhe ndonjë gjë jo të bukur apo të jashtëligjshme. Më kujtohet nata e parë që do të më duhej të flija në një hotel në qendër të Tiranës, vendosa karrigen prapa derës së dhomës për ta bllokuar se mos më futej njeri në dhomë natën. E imagjinoni se si krijohen disa perceptime dhe paragjykime për disa njerëz. Sot i kujtoj këto gjëra dhe më vjen për të qeshur, por 12 vite më parë kur erdha në atë kohë e ndjeja se duhet të veproja ashtu, që të isha më i qetë me veten. Më pas jeta ime këtu u përball me shqiptarët që ishin si italianët e shumë viteve më përpara, më të dashur, më bujarë dhe më të sinqertë, të gatshëm për të të ndihmuar. Në fund të fundit tani mendoj që këtu ka shumë më pak njerëz të këqij dhe problematik se në shumë vende të tjera të botës.
Kisha një skuadër që nga njëra anë duhet të gëzonte publikun dhe nga ana tjetër ishte në një fazë ripërtëritjeje, pasi disa ishin në moshë më të madhe dhe duheshin gjetur të rinjtë. Sinqerisht nuk ishte aspak e thjeshtë, u bë një punë kërkimore shumë e madhe dhe patëm edhe vështirësi të mëdha. Por ajo që më pëlqeu ishte fakti se pas 2-vjeçarit të parë presidenti vendosi që të vazhdojmë. Mund të them se ishte një zgjedhje që ja vlejti pasi në dy-vjecarin tjetër arritëm edhe objektivin tonë të parë. Një objektiv i arritur në një grup shumë të vështirë pasi kishim kundërshtarë Portugalinë, Serbinë, apo Danimarkën. Fituam në atë kohë ndaj Portugalisë në Portugali dhe ishim skuadra e vetme atë vit që arritëm të mundnim ata si në kualifikuese ashtu edhe në Europian sepse nuk pësuan më asnjë humbje”, u shpreh Gianni de Biasi, ish-trajner i Kombëtares Shqiptare.
Kualifikimi i parë historik i Shqipërisë në finalet e një kampionati Europian ka qenë ai i vitit 2016-të kur ndodhën edhe gjëra të paimagjinueshme që mund t’i ndodhin një ekipi, si ngjarja e 14 tetorit të vitit 2014-të, që gjithësi disa muaj më vonë i gjithë ai trishtim, ajo shije e keqe u shndërrua në festën, pasi ne merituam 3 pikët edhe pse në tavolinë, por që në fund të eliminatoreve prej atij 3 pikeshit, prej fitores me Portugalinë dhe gjithçka që ndodhi në atë sezon eliminatoresh, ne realizuam ëndrrën e parë europiane të futbollit kuqezi.
“Më kujtohet si të ketë ndodhur sot, ishte një mbrëmje shumë e veçantë, shumë e keqe, episodi më i keq i jetës sime jo vetëm i karrierës. Si futbollist më kujtohet kam përjetuar një moment kur tifozët hyn në fushë, në atë kohë luaja në jug të Italisë tek Palermo, por asgjë nuk krahasohet me atë të Beogradit. Përpara ndeshjes, përpara nxehjes, gjatë asaj ndeshjeje. Të vetmen gjë që mund të them është se futbollistët serb na ndihmuan, që të shkonim në dhomat e zhveshjes. Nga e gjithë ajo e keqe, kjo është e vetmja gjë e mirë që mund të them për atë ditë. Mendoj që ata nuk e donin që ne të ishim në mes të asaj që ndodhi. Por ne u ndodhëm dhe ata paguan pasojat. Megjithatë atë ndeshje ne nuk e humbëm, patëm dy raste dhe zero ato. Mund ta humbisnim, mund të fitonim por ndeshja ishte e barabartë, nuk është se kundërshtari ynë e ka në dishezë fushën dhe ne në malore”, u shpreh De Biasi.
Lini një Përgjigje