Vllaznia dhe Bylisi do të përballen të shtunën në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në një ndeshje të vlefshme për javën e 34-t të Superligës. Në prag të kësaj sfide ka folur mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, i cili theksoi rëndësinë e marrjes së tri pikëve, pavarësisht se skuadra ka siguruar pjesëmarrjen në “Final 4”.
Ai u shpreh se gjendja psikologjike e ekipit nuk është optimale, por theksoi se gara mbetet e hapur dhe fokusi duhet të jetë rikthimi i moralit përmes fitores ndaj Bylisit.
"Pjesa psikologjike në këtë moment nuk është ajo e duhura. Megjithatë, nuk ka mbaruar akoma asgjë. Duhet medoemos të merren tre pikët me Bylisin për të rikthyer moralin dhe entuziazmin tek ekipi. Nuk ka vend për zhgënjim, sepse kemi edhe tre ndeshje përpara 'Final 4'.
Rivalët - Bylisi duhet vlerësuar maksimalisht. Duhet të kemi vlerësimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes. Është ndeshje e vështirë. Bylisi meriton vlerësim maksimal, sepse ka futbollistë cilësorë brenda ekipit të tij. Për ne, është i vlefshëm tri pikëshi dhe duhet ta marrim me çdo kusht.
A ka aleatë Vllaznia? Vllaznia ka luajtur vetëm, pa aleanca. Në qoftë se e meritojmë për ta marrë titullin kampion, do ta marrim pa i thënë faleminderit askujt. Jemi vetëm në këtë garë dhe në fushën e lojës. Përgjatë gjithë sezonit, e kemi merituar që të jemi në krye të tabelës. Kemi qenë shumicën e kohës aty.
Ndoshta, herë pas here për gabimet tona apo për mungesë përqendrimi e kemi humbur vendin e parë, por gjithsesi jemi në lojë. Nuk na interesojnë ekipet e tjera. Nuk na interesojnë llogaritë e ekipeve të tjera. Ne jemi në lojë për nëntë pikë dhe në qoftë se i marrim këto nëntë pikë, jam i sigurt që do të jemi në vendin e parë dhe do të shkojmë në 'Final 4' me një motivim tjetër dhe me një moral tjetër", tha Gurishta për mediet.
Skuadra shkodrane vjen në këtë përballje pas tre ndeshjesh radhazi pa fitore, përfshirë dy humbjet e fundit ndaj Dinamos dhe AF Elbasanit, rezultate që i kanë kushtuar humbjen e kreut të renditjes.
Megjithatë, Vllaznia ka siguruar pjesëmarrjen në “Final 4” dhe synon të rikthehet te titulli kampion në Superligë pas një mungese 25-vjeçare.
Lini një Përgjigje