
Champions League dhuroi spektakël dhe gola në ndeshjet e treta të grupeve. Në grupin e ferrit, atë F, PSG fitoi pastër 3-0 ndaj Milanit në shtëpi. Skuadrat treguan dëshirë të madhe që në minutat e para, por goli i parë i takimit erdhi pas gjysmë ore lojë. Ishte Kilian Mbape që mposhti Menjo me një gjuajtje fantastike.
Kuqezinjtë e Piolit u përpoqën të reagonin, por e kishin gati të pamundur. Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi i Luis Enrikes dyfisuan shifrat me Dembele, festa zgjati pak, pasi VAR-i e anuloi për faull.
Vetëm pak minuta më pas, Kolo Muani u gjend në vendin dhe kohën e duhur, për të t’i qetësuar të gjithë në “Parkun e Princave”. Në fund pati kohë edhe për golin e Kang-In Li. Skuadrës nga Milano nuk i mbetet gjë tjetër tashmë, vetëm të fokusohet në sfidat e radhës.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, në Angli, sfida mes Njukasëllit dhe Dortmundit në “St. James’ Park” përfundoi 0-1. Gjermani Nmeça shfrytëzoi në maksimum një asist të Niko Shloterbek, për të shtangur prapavijën e “Qymyrxhinjve”. Sa i takon renditjes, PSG-ja ka 6 pikë, e ndjekur nga Dortmundi dhe Njukasëlli me nga 4 pikë. Në fund qëndron Milani me 2 pikë.
Në grupin G, kampionët në fuqi të Mançester Sitit kryesojnë me 9 pikë, pas suksesit 1-3 ndaj Jang Bojsit. Golit të Akanzhit iu përgjigj Elia, por një dopietë e Haland zgjidhi ndeshjen në favor të anglezëve.
Nga ana tjetër edhe Lajpcigu triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Crvena Zvezdës.
Sfidë që nuk mund të shikohet nga ata që kanë probleme me zemrën ishte ajo në Gllasgou mes Sëlltikut dhe Atletikos së Madridit. Rezultati përfundimtar i takimit ishte 2-2, por emocionet e jashtëzakonshme përshkruan gjithë sfidën, pavarësisht se bëhej fjalë thjeshtë për një ndeshje grupi.
Lini një Përgjigje