
Berat Gjimshiti ka marrë spaletat e një lideri në radhët e kombëtares shqiptare nga trajneri Silvinjo, i cili e ka graduar mbrojtësin si kapiten të kuqezinjve. Por ndërkohë, roli i liderit atij i përket tashmë edhe në radhët e Atalantës.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Shturm Grac në Ligën e Europës, vetë mbrojtësi ka deklaruar se e sheh veten në këtë rol në të dy ekipet.
“E ndjej veten lider jo vetëm tek Atalanta, por edhe në Kombëtare. Por ekziston gjithmonë mundësia të përmirësohesh, të ndihmon të japësh maksimumin. Dygolëshi i dy viteve më parë në Ligën e Europës? Mendoj se do të jetë e vështirë që të bëj tregolësh (qesh). Në këto momente ndjehem mirë si mbrojtës qendre, por varet nga ajo që zgjedh trajneri. Kam luajtur në të gjithë rolet, nuk është problem të përshtatem, e rëndësishme është të jem në dispozicion.
Të mos pësosh gol të jep siguri dhe besim në përballjen e ndeshjeve, i ndihmon të gjithë. Na mungon Palomino, një lojtar me shumë eksperiencë, të gjithë japim maksimumin. Nëse je një mbrojtës dhe pëson gol, zemërohesh gjithmonë, duhet të kesh gjithmonë përqendrim të lartë.
Ndeshja e fundit duhet të na japë besim, pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë ku u mbrojtëm shumë mirë. Sjellja nga ana jonë ishte e duhura. Duhet të jemi besimplotë dhe të bëjmë maksimumin për të siguruar tre pikët”, tha Gjimshiti para gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp.
Lini një Përgjigje