
Milani ka një ‘alarm’ të kuq përsa i përket mbrojtjes. Pas mungesave të shumta në repartin difensiv, Piolit iu shtua një tjetër hall. Malik Çau la në mes ndeshjen e mbrëmshme që kuqezinjtë luajtën përballë Borusias së Dortmundit në Champions League.
Tashmë është vetëm Fikajo Tomori në dispozicion për teknikun italian. Edhe mbrëmë ishte Kruniç ai që luajti si qendërmbrojtës dhe natyrisht la shumë për të dëshiruar. Duke parë këtë situatë, drejtuesit kuqezi janë gati të futen seriozisht në merkaton e janarit në kërkim të një qendërmbrojtësi.
Bëhet fjalë për shqiptarin, Shkodran Mustafi. Qendërmbrojtësi, i cili u shpall kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, shihet nga drejtuesit e Milanit si një nga lojtarët që mund të rrisë ndjeshëm kualitetin dhe eksperiencën në mbrojtjen e ekipit.
Ish-mbrotjësi i Arsenalit, i cili momentalisht është pa skuadër, vështirë t’i thotë “JO”, një oferte të klubit italian. Për 31-vjeçarin me origjinë shqiptare do të ishte një rikthim në Serinë A italiane. Mustafi më parë është aktivizuar me ekipin e Sampdorias në sezonet 2012-2014.
Lini një Përgjigje