
Në “Giuseppe Sinigaglia”, Komo është mundur nga Milani me rezultatin 1-3, sfidë e vlefshme për javën e 20 në Serinë A. Komo e drejtuar nga Çesk Fabregas gjeti avantazhin që në minutën e 9.
Pas një skeme të nisur nga goditja e këndit dhe më pas nga harkimi në zonë i Martin Baturina, ishte mbrojtësi gjerman Mark Oliver Kempf, që kërceu mbi mbrojtësit e Milanit dhe dërgoi topin në rrjetën e Majk Menjo.
Në minutën e 24, Como pati një rast shumë të mirë për të dyfishuar shifrat me Niko Paz, por Menjo reagoi në momentin dhe mënyrën e duhur. Në minutën e 40, Komo iu afrua sërish golit të dytë. Goditje me kokë nga Da Cunja, por Menjo bëri një super pritje.
Në fund të pjesës së parë, Milani barazon shifrat me Kristofer Nkunku, nga pika e bardhë e penalltisë, pas një faulli në zonë nga Mark Oliver Kempf ndaj Adrien Rabio. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Pjesa e dytë nisi më mirë për Milanin, që gjeti golin e avantazhit pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të mrekullueshëm të Rafael Leao për Adrien Rabio. Francezi dërgoi topin në rrjetë me një goditje me të majtën brenda zonës, në minutën e 55.
Në minutën e 58, Komo iu afrua golit të barazimit, por goditja e Niko Paz u përplas në traversë. Në minutën e 84, sërish Komo iu afrua golit me Niko Paz, por argjentinasi ishte shumë i pafat.
Në minutën e 87, ishte Adrien Rabio, “Lojtari më i mirë i ndeshjes”, i cili vulosi fitoren e Milanit me një gol të bukur me një goditje të fortë nga distanca.
Pas kësaj fitoreje, Milani ngjitet në vendin e dytë me 43 pikë, tri pikë më pak se Interi kryesues. Komo mbetet në vendin e 6 me 34 pikë.
Lini një Përgjigje