
Milani ka barazuar në transfertë përballë Lacios, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Serisë A. Sfida e zhvilluar në “Stadio Olimpico”, përfundoi me rezultatin 2-2, teksa kuqezinjtë duhet të presin ende për të provuar shijen e fitores në këtë sezon.
Ishte pikërisht Milani që kaloi si fillim në avantazh. Qendërmbrojtësi serb, Pavloviç shënoi që në minutën e 8, gol i cili ishte i vetmi për pjesën e parë.
Me nisjen e pjesës së dytë, Lacio u bë më kërkuese duke përmbysur gjithçka për 4 minuta. Si fillim ishte Kastejanos në minutën e 62- dhe më pas Dia në minutën e 66. Por, Rafael Leao shmangu humbjen e Milanit, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 72.
Për sa i përket mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysaj, ai u aktivizua në minutën e 90 të sfidës. Duelin e radhës Milani do ta luajë në shtëpi ndaj Venecias, ndërkohë që Lacio pret Veronën në "Olympico"
Me këtë barazim, Lacio shkon në vendin e 8 me 4 pikë, ndërsa Milani me 2 pikë renditet në vendin e 14.
Napoli arriti një përmbysje dramatike ndaj Parmës me rezultatin 2-1. Miqtë gjetën të parët rrugën e rrjetës me anë të Boni në minutën e 19. Sulmuesi i Parmës u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, teksa pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1.
Në fragmentin e dytë të lojës, trajneri Konte hodhi në fushë Spinacolën dhe Lukakun që gatuan golin e barazimit. Sulmuesi belg debutoi kështu me gol, duke tundur rrjetën në minutën 90+2, ndërkohë që për golin e përmbysjes mendoi Anguisa në minutën e 90+6 pas asistit të David Neres.
Me këtë fitore Napoli ngjitet në kuotën e 6 pikëve, ndërkohë që duelin e radhës do e luajnë në transfertë ndaj Kaljarit. Në krahun tjetër, Parma do të presë Udinezen.
Lini një Përgjigje