
Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon prej vitesh përpjekjet për të bindur sulmuesin e talentuar Nelson Ueiper që të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Lojtari, i cili aktivizohet me Mainc, ka spikatur në sezonet e fundit si në nivel klubi ashtu edhe me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, ku ka treguar vazhdimësi në realizime.
Aktualisht pjesë e Gjermanisë U-21, Ueiper u aktivizua në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Europian ndaj Irlandës së Veriut. Në të njëjtin takim u paraqit edhe Brajan Gruda, i cili nisi sfidën si titullar dhe u zëvendësua në pushimin mes pjesëve. Ndërkohë, Ueiper u hodh në fushë në minutën e 85-të.
Pavarësisht minutave të pakta në dispozicion, sulmuesi arriti të lërë menjëherë gjurmë. Ai shfrytëzoi një krosim brenda zonës për të gjetur hapësirën e duhur dhe për të shënuar golin që vulosi fitoren 3-0 të Gjermanisë. Reagimi i tifozëve në stadium ishte i menjëhershëm, me thirrje në kor të emrit të tij.
Interesi i FSHF-së për Ueiper mbetet i pandryshuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lojtari do të konsiderojë në të ardhmen një ndryshim të përfaqësimit në nivel ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje