
Mançester Siti i bashkohet Kristal Palas, Notingem Forest dhe Aston Vilës në gjysmëfinalet e FA Cup. Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola vuajti jo pak në transfertë ndaj Bërnmuthit, por arritën të fitonin 1-2 dhe të siguronin biletën për në gjysmëfinale.
Në minutën 12, Bernardo Silva fitoi penallti pasi kundërshtari ndali topin me dorë brenda zonës dhe arbitri akordoi 11-metërsh, i cili u ekzekutua nga Erling Haland, por norvegjezi gaboi. Goditja e tij u ndal me sukses nga Kepa Arrizabalaga.
Në minutën e 20, Evanilson shtyu në rrjetë topin e goditur nga Xhastin Klaivert dhe vendasit kaluan në avantazh. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Bërnmuthin.
Përmbysja e “Qytetarëve” erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 48, Haland shleu gabimin e pjesës së parë dhe barazoi shifrat pas asistit të bukur të marrë nga O’Reili. Goli i avantazhit për Siti erdhi në minutën e 62 nga Omar Marmush. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, Siti fiton 1-2.
Lini një Përgjigje