TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Janar 2024, 19:48

“Luaj ndaj Kroacisë në Europian”, sulmuesi kosovar paralajmëron kalimin te Shqipëria pas prezantimit te Dinamo e Zagrebit

Shkruar nga Pamfleti

“Luaj ndaj Kroacisë në Europian”, sulmuesi kosovar

Arbër Hoxha ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me Dinamon e Zagrebit, ndërsa pritet të debutojë të shtunën në ndeshje miqësore. Skuadra kroate është duke u përgatitur në Rovinj, ku sot u testua ndaj Triglavit, takim të cilën e fitoi në shifrat 7-0. Hoxha nuk u aktivizua në këtë ndeshje.

Sulmuesi i krahut ka dhënë një intervistë për sajtin kroat “germanijak” dhe ka paralajmëruar kalimin te Shqipëria. Ai ka disa paraqitje për Kosovën në miqësore, ndërsa vitin e kaluar u pajis me pasaportën shqiptare.

Kosova nuk më ka ftuar asnjëherë. Shqipëria më ka thirrur dhe më ka dhënë pasaportën. Besoj se së shpejti do të luaj për Shqipërinë. Shpresoj se do të shkoj në Europian dhe do të luaj ndaj Kroacisë”, ka thënë Hoxha për sajtin kroat.

25-vjeçari te Dinamo e Zagrebit kaloi të martën nga Slaven Belupo, ekipi tjetër kroat. Ai ka zhvilluar tri paraqitje për Kosovën, në ndeshje miqësore. Ka luajtur ndaj Suedisë më 12 janar të vitit 2020 e më pas ndaj Guinesë dhe Gambias në qershor të vitit 2021. Prej atëherë nuk është ftuar më nga “Dardanët”.

Pra nuk e ka fituar asnjëherë rastin e vërtetë dhe tani mund të kalojë te Shqipëria. Në fakt te Shqipëria konkurrenca është shumë e madhe, ndërsa kalimi i Hoxhës te kuqezinjtë do të ishte tjetër humbje për përfaqësuesen e Kosovës. Hoxha në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën, por synimin e madh kishte Dinamon.

Nga dita e parë kur erdha në Kroaci, dëshira ime e vetme ishte Dinamo dhe ajo ditë erdhi. Këtë e kisha ëndërr dhe synim. Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar skuadrës, ende nuk po mund të besoj se jam këtu. Jam maksimalisht i fokusuar në atë që është para meje. Të gjithë e dinë çka do të thotë Dinamo për Kroacinë dhe cilat janë synimet – duam të fitojmë secilën ndeshje”, ka thënë Hoxha.

Ai ka treguar se kishte shumë oferta, por se ishte i vendosur që të transferohej te Dinamo e Zagrebit, skuadra bindshëm më e suksesshme në Kroaci.

Hoxha ka lënë të kuptohet se nuk i frikësohet konkurrencës, ndërsa ka falënderuar Slaven Belupon. Ai ka theksuar se ana e tij e fortë është loja një kundër një dhe driblimi. Ishte trajneri i Dinamos së Zagrebit, Sergej Jakiroviç që insistoi për transferimin e Hoxhës.

Ai më ka ndihmuar shumë, ka dashur të më sjellë, më ka thënë këtë dhe kjo kishte rëndësi për mua. Dua t’ia kthej me ndeshje në fushë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, çdo gjë është në nivel të lartë. Dinamo është plot me yje dhe ndihem mirë në mesin e tyre”, ka vijuar Hoxha.

Hoxha beson se Dinamo do ta fitojë titullin e kampionit në Kroaci, ndonëse aktualisht është prapa Hajdukut, që gjithashtu ishte një prej skuadrave të interesuara për kosovarin.

E përsëris, gjithë kohën kam menduar vetëm për Dinamon. Nuk kam menduar asgjë tjetër, për asnjë klub tjetër. Dhe tani jam këtu”, përfundoi Arbër Hoxha.

arbër hoxha sulmuesi kosovar dinamo e zagrebit

Lini një Përgjigje