
David Hancko ka përjetuar një nga episodet më dramatike të merkatos së këtij viti, një udhëtim nga një marrëveshje e mbyllur, tek përçmimi publik, e deri te një mundësi e artë në një nga klubet më të mëdha të Evropës.
Mbrojtësi sllovak kishte arritur marrëveshje të plotë me Al Nassr në Arabinë Saudite, ndërsa Feyenoord kishte pranuar ofertën rekord prej 40 milionë euro, duke u bërë kështu shitja më e madhe në historinë e klubit holandez. Hancko madje udhëtoi në Austri për t’u bashkuar me kampin stërvitor të Al Nassr dhe për t’u prezantuar përkrah yllit Cristiano Ronaldo.
Turpi në Arabinë Saudite
Por skenari mori një kthesë të çuditshme dhe të turpshme: Hancko nuk u lejuan të stërvitej dhe u izolua në një hotel të veçuar, pa qasje në skuadër apo stafin teknik. Pas disa ditësh pritjeje, klubi saudit e njoftoi se nuk do ta finalizonte transferimin dhe se mbrojtësi nuk ishte më i dëshiruar.
“E turpshme dhe e paprecedent,” e quajti sjelljen zëdhënësi i Feyenoord, Raymond Salomon. “Ai kishte marrëveshje të plotë me klubin, dhe ata e thirrën në kamp vetëm për t’i mbyllur derën në fytyrë. Nuk ndodh kështu në futbollin profesionist.”
Situata ishte edhe më e vështirë për lojtarin, pasi kishte liruar apartamentin në Rotterdam dhe ishte përshëndetur me shokët e skuadrës, i bindur se aventura e re kishte nisur.
Kur gjithçka dukej se po shkatërrohej, erdhi lajmi që i ndryshoi karrierën: Atlético Madrid hyri fuqishëm në garë dhe arriti marrëveshje me Feyenoord për transferimin e mbrojtësit 26-vjeçar.
Tani pritet vetëm kalimi i vizitave mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës që do ta bëjë zyrtarisht pjesë të gjigantit spanjoll. Për Hanckon, nga një episod poshtërues në Arabinë Saudite, aventura e re në La Liga mund të kthehet në sfidën më të madhe dhe më të lavdishme të karrierës së tij.
Lini një Përgjigje