
Pavarësisht rezistencës së Njukasëllit, transferimi i Aleksandër Isak te Liverpuli duket i pashmangshëm. Sulmuesi suedezi ka refuzuar ofertat e majme të ardhura nga Al-Hilal, por edhe interesin e shprehur nga klube të tjera të mëdha në Europë dhe dëshiron vetëm Liverpulin.
Transferimi i Isak te kampionët e Anglisë pritet të mbyllet për 150 milionë euro. Me këtë shumë të fituar nga shitja e Isak, Njukasëlli pritet të bëjë të paktën 3 transferime të bujshme. “Qymyrxhinjtë” kanë piketuar zëvendësuesin ideal të Isak dhe është pikërisht slloveni i Lajpcigut, Benxhamin Sesko, edhe pse raportohet se Mançester Junajtid ka arritur parimisht marrëveshjen me lojtarin. Klubi i Bundesligës kërkon 80 milionë euro për sulmuesin 22-vjeçar.
Në mesfushë, zgjedhja e Edi Hou është Nikolo Barela i Interit. Ardhja e tij mund të kompletojë një treshe të nivelit të lartë në mesin e fushës së bashku me Guimaraesh dhe Tonali.
Njukasëlli synon të forcojë po ashtu edhe mbrojtjen. Piero Hincapi, qendërmbrojtësi i Leverkusenit, duket përforcimi ideal për mbrojtjen e “Qymyrxhinjve”. 23-vjeçari tashmë e ka provuar veten e tij në Bundesligë dhe garat evropiane, dhe nënshkrimi i tij mund të përfundojë për një tarifë afër 40 milionë eurosh.
Lini një Përgjigje