
Nëse do të kërkonim në Europë për futbollistë shqiptarë që përfaqësojnë me moshat një kombëtare tjetër apo presin një ftesë, padyshim që do të nxirrnim një formacion dhe me lojtarë stoli po ashtu.
FSHF-ja ka tentuar disi për këto talente, por ja cilët janë 6 lojtarët më potencialë për t’u veshur kuqezi.
Diant Ramaj
Duke nisur nga porta, Diant Ramaj aktualisht është titullar tek Ajaksi, gjigandi holandez. Në intervistën e fundit, ai ka zbuluar se ka mundësinë për të mbrojtur katërkëndorin e Shqipërisë dhe është kërkuar nga ana e FSHF-së, por Ramaj po pret një ftesë nga Gjermania.
Portieri është 190 cm dhe në moshën 22-vjeçare kartoni i tij vlen 5 milionë euro nga faqja “Transfermarkt”.

Brajan Gruda
Ka përfaqësuar ekipet e moshave të Gjermanisë dhe momentalisht luan për Maincin në Bundesligë. Prej disa kohësh, FSHF-ja është munduar që të afrojë me ngjyrat kuqezi mesfushorin e krahut që ka lindur në Gjermani. Brajan Gruda është një nga talentet më premtues të moshës së tij dhe kartoni i tij vlen 9 milionë euro.
Deri më tani ka luajtur në 15 ndeshje në Bundesligë dhe ka shënuar edhe një gol, derisa një dëmtim i lehtë e la jashtë për disa ndeshje. Veshja e Grudës me fanelën e Kombëtares shqiptare do të ishte një element shtesë tepër i vlefshëm në organikën kuqezi. Deri tani, 19-vjeçari ka luajtur me Gjermaninë U-21 dhe do të tentojë nëse ka vend për të në ekip të parë apo jo.
Nelson Viper
Një sulmues shtatlartë që është po pjesë e Maincit dhe aktualisht i dëmtuar. Nelson Viper nga mamaja është me origjinë shqiptare dhe vëllai i tij, i cili është portier, u grumbullua pak kohë më parë me Shpresat. Sulmuesi 18-vjeçar ka shkëlqyer me moshat e Gjermanisë, ndërsa FSHF-ja është në kontakt për ta “joshur” dhe në të ardhmen të përfaqësojë fanelën e Shqipërisë.
Roko Vata
Djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata, Roko është pjesë e Sëlltikut dhe në ditët e fundit i është ofruar dhe rinovimi, pavarësisht se në Serinë A janë disa klube të interesuara për të. Roko luan për Irlandën U-21, ndërkohë ka debutuar dhe shënuar me ekipin e parë të Sëlltikut. Siç ka deklaruar edhe babai i tij Rudi, nga ana e FSHF-së nuk ka pasur ndonjë ftesë që të bashkohet me Shqipërinë.

Luis Hasa
Hasa është pjesë e Juventusit. Mesfushori me tipare sulmuese ka qenë pjesë e Shqipërisë U-15, por më pas vazhdoi me moshat e Italisë. Ai shkëlqeu në Europianin U-19 dhe ka moshën ende për të luajtur me Shpresat. Drejt tij, FSHF-ja ka dërguar një ftesë pak kohë më parë.
Arijon Ibrahimoviç
Ai zbarkoi në Serinë A te Frozinone si huazim nga Bajerni dhe ka dalluar me paraqitjet e tij. Arijon Ibrahimoviç është me origjinë nga Prizreni dhe trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi ka shprehur dëshirën për ta afruar në radhët kuqezi, mesfushorin e krahut që po luan në një nga kampionatet më të fortë në botë në moshën 18-vjeçare. Ibrahimoviç ka luajtur për Gjermaninë U-19./Panorama Sport

Lini një Përgjigje