
Skënder Gega rikthehet në postin e trajnerit të Partizanit. Gega është dakordësuar me klubin e “Demave” për të mbyllur sezonin.
Eksperimenti me Arbër Abilaliajn si trajner dështoi, ndërsa Partizani po humbet objektivin, duke rrezikuar praninë në “Final 4”. Kësisoj, klubi ka kthyer sytë nga një trajner i cili e njeh shumë mirë ambientin te “demat” dhe për më tepër, di si fitohet me ta.
Gega drejtoi Partizanin në sezonin 2018-2019, duke ndërtuar skuadrën e cila ktheu pas shumë vitesh “demat” te titulli kampion. Ai qëndroi vetëm një sezon në drejtimin e ekipit, duke u ndarë jo pa polemika. Dhe ndonëse është përmendur shpesh emri i tij në klub, deri më sot palët kishin qëndruar larg njëra-tjetrës.
Por në këtë moment krize duket se trajneri ka vendosur të lërë pas problemet e të kaluarës me drejtuesit dhe ka pranuar ftesën që i ka bërë klubi i kuq, duke u vënë në drejtimin e skuadrës. Gega pritet të marrë drejtimin që në ndeshjen ndaj Laçit, që është shumë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të skuadrës në këtë sezon, ku objektivi minimal është prania në “Final 4” dhe pjesëmarrja në Europë.
Lini një Përgjigje