
Sokol Cikalleshi ishte protagonist këtë fundjavë me ekipin e tij Koniaspor, teksa shndërroi një penallti në gol përballë ekipit të Pendiksporit, ku luan Endri Çekiçi. Ndeshja u fitua 2-0, ku golin e dytë e shënoi ish-lojtari i Kukësit, Valon Et’hemi.
Por, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shkuar në kuotën e 9 golave dhe ka dhënë një prononcim për mediat turke.
“Ne jemi të lumtur, do të vazhdojmë, sepse kemi një maratonë përpara. Ishte një fitore e rëndësishme për të gjithë qytetin në Konia dhe për tifozët e këtij ekipi që janë me ne në çdo ndeshje, si edhe në atë jashtë. Koniaspori është një klub i madh.
Ne do të japim gjithçka që mundemi deri në fund të sezonit”, ishin fjalët e sulmuesit 33-vjeçar që është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës.
Kjo deklaratë vjen, pasi klubi, ku kavajasi luan ndodhet në pozita të vështira në renditje, teksa diskuton qendrimin në Superligën turke. Kujtojmë që pak kohë më parë, Cikalleshi pati një krisje me klubin për shkak të disa rrogave të prapambetura.
Lini një Përgjigje