
Kombëtarja 'ndez motorët' për “EURO 2024”. Kuqezinjtë kanë siguruar tashmë dy miqësore. Ndeshja e parë djemtë tanë do ta luajnë me Kilin më 22 mars, teksa tre ditë më vonë do të ndeshen kundër Suedisë në Stokholm.
Stafi i ekipit nuk ka mbetur me kaq, duke kërkuar për kundërshtar edhe në fundin e majit apo në fillimin e qershorit, pak ditë para nisjes “EURO 2024” (14 qershor - 14 korrik).
Trajneri Silvinjo ka në plan një tur në Evropë, për të folur me lojtarët e ekipit. Mësohet se braziliani do udhëtojë drejt Anglisë përpara miqësoreve, ku do ketë një takim "kokë më kokë" me Armando Brojën.
Silvinjo do jetë në "Old Trafford" për ndeshjen mes Mançester Junajtid-Fullhem, e programuar më 24 shkurt. Duket se veç një takimi me Brojën, trajneri do diskutojë nga afër edhe me trajnerin e Fullhemit, Marko Silva, kjo për gjendjen dhe formën e sulmuesit.
Pas udhëtimit në ishull, Silvinjo pritet të drejtohet për në Spanjë, aty ku do flasë me Myrto Uzunin, Ivan Balliun dhe Keidi Baren. Më pas një tjetër takim me legjionarët në Turqi, ku nuk përjashtohet edhe Rei Manaj, sulmuesi më në formë i ekipit për momentin.
Katër muaj larg nga "Gjermani 2024", tanët kanë nisur nga puna. Kujtojmë se në “EURO 2024”, kuqezinjtë u shortuan në grupin B dhe kanë kundërshtar Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Lini një Përgjigje