TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Shtator 2024, 20:26

Kërcënuan Dukën, lirohen nga burgu presidenti i Ilirisë së Fushë Krujës dhe nipi i tij

Shkruar nga Pamfleti

Kërcënuan Dukën, lirohen nga burgu presidenti i Ilirisë

Janë liruar ditën e sotme nga burgu Nazmi Selmani dhe nipi i tij Petrit Selmani, të cilët u arrestuan për kërcënimin ndaj kreut të FSHF, Armand Dukës.

Nazmi Selmani, presidenti i skuadrës së Ilirisë së Fushë Krujës, njëkohësisht biznesmen dhe nipi i tij Petri Selmani ishin të vetmit që vijonin të qendronin në burg për kërcënimin ndaj Dukës, ndërkohë që djemtë e tij dhe Redian Loci u liruan në gjyqin paraprak.

Gjykatësi Paulin Cera ka vendosur ditën e sotme “detyrim paraqitje” për Nazmi Selmanin dhe nipin e tij, Petritin.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ra pre e një kërcënimi më 31 gusht. Pesë persona, ku mes tyre edhe  presidenti i skuadrës së Iliriës së Fushë-Krujës, Nazmi Selmani, dërguan mesazhe kërcënuese ndaj kreut të FSHF-së.

Pas mbërritjes së mesazheve kërcënuese rreth orës 21:30 të mbrëmjes së 31 gushtit, autorët shkuan pranë banesës së Dukës rreth orës 22:30. Ky veprim detyroi numrin një të FSHF-së që të bënte kallëzim pranë autoriteteve policore, të cilat nisën menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve. 

Në përfundim të hetimeve, Policia bëri të mundur vënien në pranga të pesë shtetasve; Redian Loci, Petrit Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani dhe Nazmi Selmani, ky i fundit president i klubit të futbollit, Iliria.

Shkak për kërcënimin dyshohet se është bërë publikimi i listës së grumbullimit të kombëtares për ndeshjet e shtatorit, listë e cila duket se nuk ka kënaqur pritshmërinë e shtetasve në fjalë.

Ky nuk ishte konflikti i parë i Selmanit me emra të rëndësishëm në drejtimin e kuqezinjve.

Pak vite më parë, Selmani në gjendje të dehur udhëtoi drejt Tiranës për të dhunuar Edi Rejan, në momentin që ky i fundit ishte trajner i kuqezinjve.

Lini një Përgjigje