TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Shkurt 2026, 17:07

Juventusi mbetet me pasoja nga Stambolli, bardhezinjtë pësojnë humbjen e tretë brenda një jave dhe rrezikojnë Europën

Shkruar nga Pamfleti

Juventusi mbetet me pasoja nga Stambolli, bardhezinjtë pësojnë

Juventusi ka pësuar një tjetër goditje në kampionat, duke u mposhtur 0-2 nga Komo në Torino, në kuadër të javës së 26-të të Serisë A. Humbja shënon disfatën e tretë radhazi për bardhezinjtë brenda një jave, duke thelluar krizën e rezultateve për skuadrën e drejtuar nga Spaleti.

Takimi u zhbllokua nga mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, i cili realizoi me një veprim individual të bukur dhe një goditje të saktë me të majtën, duke mposhtur portierin Di Gregorio. Goli i tij i dha avantazhin miqve dhe orientoi ritmin e sfidës.

Komo vijoi të ishte skuadra më këmbëngulëse në pjesën e parë, duke goditur edhe traun e portës dhe duke vënë në vështirësi mbrojtjen vendase. Juventusi, përkundër mbështetjes së tifozëve, nuk arriti të reagojë siç pritej.

Në pjesën e dytë pritej një reagim i fortë nga vendasit, por fusha tregoi një tjetër panoramë. Në minutën e 61-të, Maksens Kakeret shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë të Komos për të dërguar topin në rrjetë dhe për të dyfishuar shifrat.

Rasti më i mirë për Juventusin erdhi në fundin e ndeshjes, kur Kupmeiners goditi shtyllën, duke humbur mundësinë për të rihapur sfidën.

Pas kësaj disfate, Juventusi mbetet në vendin e pestë me 46 pikë, ndërsa Komo ngjitet menjëherë pas tij, në vendin e gjashtë me 45 pikë.

Në mesjavë, bardhezinjtë do të presin Gallatasarajin në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it të Champions League, pas humbjes së thellë 5-2 në takimin e parë. Ndërkohë, në kampionat, i pret një tjetër përballje direkte për vendin e katërt, këtë herë kundër Romës.

juventus komo seria a

Lini një Përgjigje