
Elbasani ka siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Vorës, në kuadër të javës së 25-të të “Abissnet Superiore”. Takimi i zhvilluar në stadiumin e Vorës përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të ekipit elbasanas.
Verdheblutë gjetën rrugën e rrjetës me Olberkis dhe Lleshi, duke siguruar tri pikë të vlefshme në transfertë. Nga ana tjetër, mesfushori Irgi Kasalla realizoi një supergol për vendasit, por tentativa e tij nuk mjaftoi për t’i dhënë pikë Vorës.
Pas kësaj fitoreje, Elbasani ngjitet në kuotën e 45 pikëve, duke mbetur në vendin e tretë të renditjes. Vora, me 26 pikë, pozicionohet në vendin e shtatë, pranë zonës së rrezikut.
Në ndeshjen tjetër të javës, Bylisi arriti një sukses të rëndësishëm në shtëpi përballë Vllaznisë, duke e mposhtur me rezultatin 2-1.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa kaloi në avantazh në minutën e 47-të me një gol të realizuar nga Stoilov. Më pas, në minutën e 90+7, Sanogo dyfishoi shifrat për vendasit, duke i dhënë qetësi ekipit në momentet e fundit të takimit.
Vllaznia reagoi në minutën e 90+9 me golin e shënuar nga Tafili, duke ngushtuar diferencën në 2-1, por pa arritur të shmangë humbjen.
Me këtë fitore, Bylisi shkon në kuotën e 23 pikëve dhe renditet në vendin e tetë, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Në krahun tjetër, Vllaznia mbetet në krye të renditjes me 48 pikë, pavarësisht disfatës në Ballsh.
Lini një Përgjigje