TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Shtator 2023, 18:56

“Jam kurioz për kthimin e Brojës, kemi kualitet”, Igli Tare analizon kombëtaren kuqezi: Fitore ekzaltuese me Poloninë, ndaj Çekisë do të jetë vendimtare

Shkruar nga Pamfleti

“Jam kurioz për kthimin e Brojës, kemi kualitet”, Igli

Kombëtarja e Shqipërisë po zhvillon kualifikueset e “EURO 2024”, teksa deri më tani rezultatet janë mjaft të kënaqshme. Në 5 ndeshje, kuqezinjtë kanë marrë 10 pikë dhe kryesojnë kështu të vetëm grupin E, duke lënë mbrapa skuadra si Çekia apo Polonia. Ekipi i Silvinjos mori 4 pikë, pasi barazoi 1-1 me Çekinë dhe më pas, triumfoi pastër 2-0 me Poloninë. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Igli Tare, në një intervistë ekskluzive për “News 24” u shpreh se ekipi është zhvilluar por duhet të qendrojmë me këmbë në tokë.

Në Shqipëri janë të “dehur” pas Kombëtares në këto momente, ku i ndoqe dy sfidat e fundit Igli. Të pyes ku e ndoqe, se më bëri përshtypje Mirel Josa, më theksoi se nuk arriti të siguronte një biletë, e pash në shtëpi më tha, po ju e kishit një ftesë?

Jo, unë ftesë nuk kisha, por kisha dhe një justifikim, kisha një problem familjar, duhej të largohesha nga Shqipëria. Isha në Romë, ndeshjen e pashë në shtëpinë time, me djalin.

Çfarë shije të la sfida me Poloninë, e prisje një sukses të pastër 2-0?

Nuk e prisja një fitore, sinqerisht, por isha i bindur që do të merrnin një rezultat pozitiv, sepse është krijuar një lloj klime rreth skuadrës, një energji pozitive që ndikon edhe në paraqitjen e skuadrës në fushë, kështu që isha shumë i bindur që nuk do të dilnim të humbur nga ndeshja, por golat dhe fitorja ishte më të vërtetë ekzaltuese. Nuk ka se si të shkojë më mirë për skuadrën tonë, por duhet të jemi të qetë dhe me këmbë në tokë sepse ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare, kështu që, kjo euforia nuk duhet të jetë një armë negative, por duhet të jetë një armë pozitive.

Igli, çfarë ka ndryshuar Silvinjo në kaq pak kohë, përveç skemës, si të duket ekipi që ka ndërtuar?

Fitorja ka shumë baballarë, por humbja ka vetëm një nënë. Në këto momente duhet të jemi të përqendruar te fakti që Silvinjo ka ardhur me entuziazëm, me ide të qarta loje. Është ende shumë shpejt për të thënë që ka ndryshuar shumë gjëra, është vetëm ndeshja e tij e pestë, është shumë shpejt për të folur për ndryshime të mëdha. Forma e lojtarëve, shumë prej tyre aktivizohen në ekipet ku luajnë, kjo është shumë domethenëse. Grupi që është krijuar, lojtarët, janë të gatshëm të luajnë në formacion, kjo e ndihmon shumë trajnerin, që të ketë shumë zgjidhje. Gjëja më kryesore është që ai të jetë i motivuar, sidomos për këto ndeshje të fundit që kanë ngelur, sepse do të ishte një rezultat shumë domethënës.

Igli, fakt është që Silvinjo i ka dhënë shumë peshë dy lojtarëve që ti i njeh shumë mirë; Asllanin dhe Nedim Bajramin, dy lojtarë që sipas mediave italiane i keni kërkuar dhe gjatë kohës kur ishe te Lacio, si t’u duket paraqitja e tyre këtë periudhë?

Unë kam qenë gjithnjë i mendimit, gjatë kohës së Rejës, në bisedat personale me të (Rejën), një lloj kritike ndaj tij ka qenë edhe fakti që Shqipëria nuk e ka luksin që lojtarë si Asllani të lihen në stol, duke ditur skuadrën ku ai luan. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Kumbullën e Brojën kur të kthehen, sepse janë një shtyllë kurrizore e skuadrës, ku rreth tyre do të ndërtohet e ardhmja për një periudhë 10- vjeçare. Asllani dhe Bajrami nuk janë një surprizë, janë thjeshtë lojtarë që i është dhënë mundësia, i është dhënë besimi dhe ata e kanë justifikuar në fushë me rendimentin që kanë treguar.

A munden këto dy lojtarë t’i shohim në nivele më të larta në Serinë A, Bajramin më shumë, se Asllani është në maksimum, luan tek Interi, pavarësisht se nuk shihet titullar nga Inzagi…

Bajrami është një lojtar që ka karakteristika shumë të mira, por ka pasur oshilacione në formën e tij. Të gjithë flasin me elozhe shumë të mëdha, por nuk ka pasur mundësi të ketë vazhdimësi si lojtar bazë i një skuadre. Ia uroj me gjithë zemër, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm për mënyrën se si e interpreton lojën dhe do të isha shumë i lumtur nëse ai do të gjente vazhdimësi në skuadrën e tij si një lojtar kryesor. Për Asllanin, ka një detyrë shumë të vështirë tek Interi. Eksperienca që po fiton aty është shumë e rëndësishme, por edhe për të do të ishte e rëndësishme të shkonte diku, të gjente një skuadër ku të ketë vazhdimësi, sepse është akoma në një fazë pjekje dhe akoma nuk e ka dhënë maksimumin e tij.

Në Itali këto ditë, tifozët me batutë në rrjet shkruajnë se në Evropian, të paktën kanë se me kë të bëjnë tifo, për Shqipërinë, duke iu referuar krizës së Italisë pas barazimit me Maqedoninë e Veriut. Mund të ndodhë ky skenar, Italia jashtë dhe Shqipëria në “EURO 2024”? Duket sikur pas turistëve po i marrim dhe futbollin Italisë…

Është për të ardhur keq në fakt, nuk është për të bëra shaka. Futbolli evropian, ose një Evropian pa Italinë do të ishte një goditje shumë e madhe, duke parë që italianët në dy Botëroret e fundit nuk kanë pasur mundësi të kualifikohen, është një goditje e madhe për futbollin italian. Është një goditje e madhe për futbollin italian, është një krizë që duhet të kalojë me shpejtësi të madhe, pasi Italia është një lokomotivë për futbollin evropian dhe botëror. Shpresoj që ta sigurojnë sa më shpejt kualifikimin, duke filluar që nga sot në darkë, në ndeshjen me Ukrainën.

Një tjetër lojtar që ju e njihni shumë mirë është dhe Elseid Hysaj, që për fat të keq është sulmuar jo pak periudhat e fundit, ndërsa Silvinjo zgjodhi një tjetër kapiten, por ndaj Polonisë ishte lojtari me notën më të lartë, zhvilloi një ndeshje perfekte, si e keni parë Hysajn me fanelën kuqezi këtë periudhë?

Hysaj është nga ata lojtar që është lënë nën hije, sepse eksperencia e tij, lidershpi që ai ka brenda skuadrës janë të padiskutueshme. Ai e di shumë mirë sa duhet të japë, kur duhet ta japë. Eksperencia që ai ka e ndihmon shumë, është diçka që ekipi Kombëtar ka shumë nevojë për të, është një nga lojtarët veteranë të skuadrës. Edhe vet ai e di që ka një rol të veçantë dhe që atë rol duhet ta interpretojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Igli, çfarë ka ndryshuar, tani Shqipëria bën një futboll pak më ofensiv, ose më saktë realizon super gola, kemi sulmin më të mirë në Grupin E, 8 gola në 5 ndeshje, duhej të vinte një brazilian që të shënonim kështu golash të çmendur?

Mbase ka të bëjë edhe më këtë, pak samba, gola alla Roberto Karlos, golat e Asanit, goli i Bajramit. Unë besoj që kualiteti i skuadrës është shumë i madh, është akoma në një fazë rritjeje, është akoma një skuadër shumë e re, është akoma një skuadër që ka nevojë të konsolidohet. Ka nevojë për një ambient që eksperiencën e “EURO 2016” duhet ta nxjerrë si mësim dhe të dijë si të sillet rreth kësaj skuadre, sepse siç i thonë në Itali: Nga yjet në stallë, është shumë shpejt, pra duhet të jemi të gjithë të fokusuar, të gëzuar për çfarë na dhanë djemtë. Edhe në përditshmërinë tonë të jep një ndjenjë shumë të mirë kur i mendon këto fitore, atë gëzim të madh që i kanë dhënë shqiptarëve kudo në botë. Duhet të jemi të gjithë bashkë, këtë lloj euforie duhet t’ia transmetojmë lojtarëve në anën e duhur, në mënyrën e duhur, sepse ndeshja me Çekinë bëhet vendimtare dhe presioni duhet të jetë pozitiv, jo negativ.

Meqënëse jemi te sulmi, prurja e re Mirlind Daku, duket si një Igli Tare në kohët moderne, në kohën e sotme, çfarë mendimi keni për këtë lojtar, të ngjason ndopak, çfarë mund t’i jap Kombëtares?

Unë nuk i kam qejf këto krahasimet, Igli Tare, Bogdani. Ne jemi sulmues që kemi qenë në një epokë tjetër…Daku-Broja kanë mundësi të bëjnë një karrierë shumë më të mëdha se sa ne. Broja është në rrugën e duhur, ja uroj edhe Dakut, pasi është një lojtar shumë punëtor, ka karakteristika shumë të mira që i duhen shumë skuadrës, pasi di të mbrojë shumë mirë topin, di të sulmojë thellësinë, do të jem shumë kurioz edhe kur të kthehet Broja. Jam shumë kurioz se si do ta zgjidhë trajneri i Kombëtares këtë problem, pasi mos harrojmë që është edhe Cikalleshi, që është një lojtar me shumë eksperiencë. Muçi një lojtar që unë e çmoj jashtëzakonisht shumë dhe ka pasur shumë pak mundësi të tregojë vlerat e tij. Muçi është një lojtar që Kombëtarja duhet të ketë një vëmendje të veçantë pasi në të ardhmen do të bëjë diferencën. Bajrami. Muja, edhe ky lojtar shumë i mirë. Në repartin ofensiv, Silvinjo ka shumë opsione, por ai duhet të zgjedhë lojtarët më të mirë dhe mbi të gjitha lojtarët që i përshtaten skemës së tij.

igli tare ish-kapiteni i kombëtares shqiptare

Lini një Përgjigje