
Interi ka mundur 1-2 Atalntën në javën e 11 të Serisë A dhe ka përforcuar vendin e parë në renditje, duke shkuar përkohësisht pesë pikë larg Juventusit dhe gjashtë larg Milanit.
Një ndeshje e luftuar dhe shumë e tensionuar ajo e zhvilluar në “Gewiss Stadium”.
Në minutën e 33, Interi humbi Pavard për shkak të një dëmtimi në gju, ndërsa gjakrat u nxehën në minutën e 40.
Darmian fitoi një penallti pas një ndërhyrje të pakujdesshme të portierit Muso në zonën e rreptësisë dhe arbitri akordoi penalltinë.
Një vendim që nuk u prit mirë nga vendasit, me trajnerin Gasperini që u ndëshkua me kartonin e verdhë për protesta.
Te pika e bardhë u paraqit Çalhanoglu, i cili nuk gaboi dhe kaloi në avantazh Interin.
Frikë edhe për Barelën në fundin e pjesës së parë, me mesfushorin e Interit që mori një goditje të pavullnetshme në kokë nga Berat Gjimshiti.
Në pjesën e dytë, në minutën e 57, milanezët dyfishuan avantazhin me një gol të mrekullueshëm të Lautaro Martinez, i cili kryeson renditjen e golashënuesve me 12 realizime deri tani në kampionat.
Ndeshja u rihap katër minuta më vonë, pasi Atalanta ngushtoi diferencat me një gol të Skamakës, me lojtarët e Interit që protestuan për një faull, por arbitri nuk ishte dakord.
Në minutat e fundit pati hapësirë edhe për Kristjan Asllanin, i cili u aktivizua në minutën e 86 në vend të Çalhanoglu.
Në minutën e 92, Atalanta mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Toloi.
Skuadra e Inzagit, arriti të mbronte avantazhin deri në fund dhe mori një fitore të rëndësishme në transfertë.
Lini një Përgjigje