TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Korrik 2023, 16:44

Interi mbyll dyert për Kristjan Asllanin, Inzagi e planifikon si... regjisor

Shkruar nga Pamfleti

Interi mbyll dyert për Kristjan Asllanin, Inzagi e planifikon si...

Një nga lajmet në “shtëpinë” e Interit është largimi i Danilo D’Ambrozios. Mbrojtësi është kujdesur shumë për Kristjan Asllanin në vitin e parë të shqiptarit në Milano. Në shenjë falënderimi, mesfushori i Kombëtares i ka kushtuar edhe një postim në profilin personal në “Instagram” duke i thënë: “Një faleminderit vlen sa për 1000 fjalë”. Miqësia mes tyre, tashmë i lë vend fushës ku mund të takohen së shpejti si kundërshtarë pasi D’Ambrozio mund të përfundojë te Monza, që është kundërshtari i parë në kampionat për të besuarit e Simone Inzagit. 
 
Ecuria e Asllanit – Ndërkohë, Kristjani duket se po fiton ende më shumë vend brenda grupit zikaltër. Ardhja e Fratezit duket se nuk do të ndikojë edhe aq shumë. Të paktën në këtë fillimsezoni. Inzagi po bën rrotacione dhe eksperimente, e në këto e sheh shqiptarin si regjisor përpara mbrojtjes. Kjo u pa edhe ndaj Al-Nasrit, ku mesfushori u përdor në vend të Çalhanoglusë. Edhe me të në fushë, skuadra ishte konstante dhe krijoi shumë, por shënjestra nuk është ajo që nevojitet. Ndikojnë ngarkesat e marra në stërvitje dhe vapa masakruese në Japoni për të cilën ankohen të gjithë. 

Edhe Asllani kërkoi lavdinë ndaj skuadrës së Ronaldos, por goditja e tij nuk pati saktësinë e duhur për të gjetur rrjetën. Duhet thënë se me shqiptarin në fushë, Interi ishte disi më i ekuilibruar, por nevojiten teste të tjera (ndaj PSG-së të martën dhe Salcburgu më 9 gusht) për të kuptuar më mirë hapësirën që mund të ketë djaloshi shqiptar në sezonin e ri. 

kristjan asllani mesfushori shqiptar inter

Lini një Përgjigje