
Interi rikthehet fuqishëm në garën për një vend në zonën Champions, teksa mposhti Veronën me rezultatin e thellë 0-6 dhe regjistroi fitoren e tretë radhazi, që e ngjit në vendin e katërt me 60 pikë. Zikaltërit dominuan totalisht, teksa pas disa pritjeve të Montipo, ishte Gaixh që devijoi topin në portën e tij në mënyrë të pafat, duke u dhënë avantazhin djemve të Simone Inzagit.
Minutat 36 dhe 37ishin vendimtare për fatin e takimit, pasi fillimisht ishte Çalhanoglu që shënoi një gol spektakolar dhe më pas ishte Xheko që dërgoi topin në rrjetë për herë të tretë, duke çuar skaudrën në dhomat e zhveshjes me avantazhin 0-3.
Në pjesën e dytë ishin Lautaro me dopietë dhe Xheko që shënuan sërish, duke vulosur fitoren e thellë 0-6, që sinjalizon edhe rikthimin e Interit në një formë të shkëlqyer, në sprintin final të sezonit.
Sakaq, Milani zhgënjeu në shtëpi, këtë herë përballë Kremonezes, skuadrës që është me një këmbë në Serinë B. Kuqezinjtë nuk shkuan dot përtej barazimit 1-1. Ishte Okereke ai që shënoi në minutën e 77, duke befasuar kuqezinjtë dhe bëri çfarë deshi me dy qendërmbrojtësit kuqezi dhe dërgoi topin në rrjetë.
Kampionët e Italisë u përgjigjën në shtesë, duke shmangur humbjen dhe marrë një pikë me vlera. Në fund portieri i Kremonezes bëri një superpritje. Nuk shkoi përtej barazimit 1-1 edhe Roma në transfertën ndaj Monzës, ndonëse kaloi e para në avantazh. El Sharaui u dha avantazhin verdhekuqve, por më pas ishte Kaldirola ai që riktheu baraspeshën, duke ndalur verdhekuqtë.
Mori tre pikët edhe Lacio, që iu fal një goli të Felipe Anderson në minutën e 14 dhe një tjetri të Basiç në shtesë, për të fituar me rezultatin 2-0 ndaj Sasuolos dhe për të ruajtur vendin e dytë në renditjen e Serisë A. Bardhekaltërit i shtyjnë festën e titullit Napolit, që do të mjaftohet edhe me një barazim në duelin e nesërm ndaj Udinezes.
Lini një Përgjigje