TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Janar 2026, 19:56

I treti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave, Totenhemi humbet legjendën e klubit

Shkruar nga Pamfleti

I treti në listën e golashënuesve më të mirë

Futbolli anglez dhe klubi i Totenhemit janë në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së klubit, Martin Çivers, në moshën 80-vjeçare.

Ish-sulmuesi ishte një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e “Spërsave” dhe renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit. Gjatë karrierës së tij me “Lilywhites”, Çivers zhvilloi 367 ndeshje zyrtare, duke shënuar 174 gola, një rekord mbresëlënës që e vendosi atë mes ikonave të futbollit anglez.

I lindur në Sauthempton, Çivers përfaqësoi edhe Kombëtaren e Anglisë, për të cilën regjistroi 24 paraqitje dhe shënoi 13 gola.

Totenhemi ishte i pari që reagoi zyrtarisht, duke udhëhequr homazhet për ish-yllin e tij. Në deklaratën e klubit thuhej: “Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të ish-sulmuesit tonë legjendar, Martin Çivers. I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së Martinit, miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij në këtë moment jashtëzakonisht të dhimbshëm. Lojtarët tanë do të mbajnë shirita të zinj në ndeshjen e kësaj mbrëmjeje ndaj Bërnmuthit. Prehu në paqe, Martin. Një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.”

Homazhe ka bërë edhe ish-futbollisti i “Spërsave”, Stiv Arshibald. Skocezi 69-vjeçar shkroi në rrjetet sociale: “E kam parë Martin Çivers-in e madh para se të bëhesha profesionist. Ishte kënaqësi ta shikoje, si një Rolls-Royce, kaq i butë në lëvizje, i shkëlqyer në ajër dhe një përfundues i madh. Por mbi të gjitha, ishte një njeri vërtet i mirë.”

Martin Çivers do të mbetet përgjithmonë një figurë ikonike në historinë e Totenhemit dhe një emër i paharrueshëm i futbollit anglez.

martin çivers ish-futbollisti i totenhemit

Lini një Përgjigje