
Gjeorgjia nuk fal, kombëtarja e cila shkëlqeu në Europian, ia doli të marrë 3 pikë ndaj Çekisë, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve me rezultatin 4-1.
Në fraksionin e parë, miqtë dominuan në mbajtjen e topit, duke krijuar disa raste për shënim.
Pas gjysmë ore lojë, Krejçi shkaktoi penallti, në përpjekje për të larguar topin nga zona. Nga pika e bardhë e 11-metërshit, nuk mund të gabonte Kvarashkelia. Ylli gjeorgjian dërgoi topin pas shpinës së Matej Kovar, i cili edhe pse kuptoi krahun, nuk mundi të bënte dot asgjë.
Në pjesën e dytë, ekipi i Hasek shtoi ndjeshëm presionin, duke u vendosur në kërkim të golit. Në krahun tjetër, Gjeorgjia u tregua e rrezikshme, sidomos me anë të kundërsulmeve.
Një zbritje e shpejtë solli edhe golin e dytë në minutën e 53, që mban firmën e Çakvetadze, i shërbyer nga Kvarashkelia. Në minutën e 63, Mikatadze, me një lëvizje të bukur thelloi shifrat. Spektakli i Gjeorgjisë nuk kishte mbaruar ende, pasi edhe Koçorashvili vendosi emrin në listën e golashënuesve.
Goli i nderit për Çekinë erdhi nga Kalvash, në minutën e 80.
Në ndeshjen e radhës të Ligës B, pas pak ditësh, kundërshtari i Gjeorgjisë do të jetë Shqipëria e Silvinjos, në sfidën që do të luhet në “Air Albania” më 10 qershor. Në krahun tjetër, Çekia mat forcat me Ukrainën.
Në ndeshjet e tjera, Anglia nuk fali Irlandën duke e mposhtur pastër me rezultatin 2-0. Deklan Rajs dhe Xhek Grilish ishin autorët e golave, të cilët janë me origjinë irlandeze. Në krahun tjetër, Armenia fitoi 4-1 ndaj Letonisë, Ndërsa Malta u mposht në transfertën moldave me rezultatin e pastër 2-0.
Lini një Përgjigje