
Futbollistët shqiptarë po ngjisin gjithnjë e më shumë shkallët e karrierës duke u bërë pjesë e disa prej skuadrave elitare europiane. Vite më parë kënaqeshim, teksa shihnim këta djem të luanin në disa kampionate të huaja, por në dekadën e fundit po i shohim të kthehen në protagonist mes ekipeve më të mira të botës.
Është tjetër gjë të bësh paraqitje të mira e të marrësh komplimentet e merituara, dhe totalisht tjetër gjë të bëhesh pjesë e ballinës kryesore të gazetës më të madhe kombëtare në Itali apo Francë. I pari ishte Kristjan Asllani që u bë shqiptari i parë në kopertinën e “Gazetta dello Sport” pas golit të tij të parë me Interin në sezonin e fundit, ndërsa Armando Broja pas zërave të merkatos që e lidhnin me Milanin.

Padyshim krenari për këdo dhe historia përsëritet sërish. Ditën e sotme, prestigjozja franceze “L’EQUIPE” i kushton ballinën e gazetës së saj, superstarit “Dardan”, Edon Zhegrova. Sulmuesi i Kosovës ishte thjesht magjik mbrëmjen e djeshme, teksa Lilë mposhti 2-0 Slavian e Pragës për t’u afruar një hap larg kualifikimit në grupet e Champions League.
Edon Zhegrova po shkëlqen gjithnjë e më shumë dhe performancat e tij e kanë kthyer në një nga më të mirët në Francë. “Dardani” jo vetëm ka heshtur kritikët, por javë pas jave po i kthen edhe në tifozë të tij.
Lini një Përgjigje