
Kristian Shpendi vazhdon me formën e shkëlqyer te skuadra e Çezenës. Në tre ndeshjet e para zyrtare për këtë sezon, sulmuesi shqiptar ka shënuar katër gola, duke i mahnitur të gjithë.
Në fundjavë, 21-vjeçari realizoi dopietë golash në Serinë B, në fitoren 2-1 ndaj Karrarezes. Duke parë formën e jashtëzakonshme, te Çezena kanë vendosur ta blindojnë sulmuesin, duke i ofruar rinovimin e kontratës.
Kjo u konfirmua nga vetë drejtori sportiv, Fabio Artiko, i cili deklaroi se është arritur akordi për zgjatjen e bashkëpunimit për katër sezone të tjera.
“Me Shpendin dhe menaxherin e tij kemi gjetur akordin të shtunën kur ishim në Bentegodi. Kristian meritonte vlerësim dhe do të firmosë një kontratë katërvjeçare. Çdo gjë është e kryer. Mendoj se do të vijë sapo të mbyllet merkato.”, deklaroi Artiko.
Sezonin e kaluar, Shpendi dha kontribut të veçantë për Çezenën në Serinë C, duke i siguruar ngjitjen skuadrës së tij, me 20 gola të shënuar në 32 ndeshje.
Lini një Përgjigje