Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, është shprehur i zhgënjyer për humbjen në ndeshjen e tij të parë në stolin kuqezi, por njëkohësisht ka theksuar se sfida i ka shërbyer për të kuptuar më mirë aspektet ku ekipi duhet të përmirësohet.
Pas takimit ndaj Izraelit, tekniku italian deklaroi se kishte parashikuar vështirësitë që do të haste skuadra në këtë fazë tranzicioni, teksa lojtarët po përshtaten me filozofinë e tij të lojës.
“Është një mëkat, sepse shpresoja të merrja një fitore për tifozët dhe për ne. Kur nis një projekt të ri, është e rëndësishme ta nisësh mirë. Në disa momente loja ishte pozitive, por në të tjera humbëm ekuilibrin dhe ky është një aspekt ku duhet të punojmë shumë”, tha Maran.
Sipas trajnerit, Shqipëria zhvilloi një pjesë të parë më të mirë, duke ruajtur organizimin dhe balancën në fushë. Megjithatë, në fraksionin e dytë skuadra humbi kompaktësinë, duke i dhënë mundësi Izraelit të shfrytëzonte kundërsulmet.
“Mungesa e ekuilibrit në pjesën e dytë e bëri gjithçka më të vështirë. Izraeli është një ekip teknik dhe i vështirë për t’u përballuar kur nuk ushtrohet presioni në momentin e duhur”, u shpreh ai.
Maran theksoi se koha e kufizuar e punës me grupin nuk e ka lejuar ende të implementojë plotësisht idetë e tij, por ndeshja i ka dhënë informacion të vlefshëm për të ardhmen.
“Po mundohem të ndërtoj një ekip që luan më shumë në gjysmëfushën kundërshtare. Kjo ka sjellë disa probleme në aspekte të tjera të lojës dhe duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur. Humbja nuk më pëlqen, por më dha indicie të rëndësishme për punën që duhet të bëjmë”, shtoi trajneri.
Duke komentuar paraqitjen e sulmuesit Armando Broja, Maran tha se lojtari kishte detyra të qarta taktike, por se ka ende nevojë për kohë për t’u përshtatur me kërkesat e stafit teknik.
“Broja duhej të ishte pika kryesore e referimit në sulm, por karakteristikat e tij e shtyjnë të lëvizë shumë. Ka punuar vetëm tre ditë me mua dhe ka ende gjëra që duhen përmirësuar. Megjithatë, ai u përpoq të zbatonte atë që i kërkuam”, deklaroi tekniku.
Në fund, Maran falënderoi tifozët për mbështetjen dhe mikpritjen që ka gjetur që prej marrjes së detyrës, duke shprehur keqardhjen që nuk arriti t’i shpërblente me një rezultat pozitiv.
“Kam gjetur një mikpritje të shkëlqyer dhe do të doja ta shpërbleja me një paraqitje dhe rezultat më të mirë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të justifikoj besimin dhe ngrohtësinë që kam marrë”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje