
Bota e futbollit në zi, teksa ka humbur jetën një tjetër ish-kampion bote. Bëhet fjalë për gjermanin Bernd Holzenbein, i cili u nda nga jeta të hënën në mbrëmje në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Holzenbein, i cili e kaloi shumicën e karrierës tek Eintrahti i Frankfurtit është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për këtë skuadër në Bundesligë. Ai mbahet mend në histori për atë që ndodhi në Botërorin e vitit 1974, të zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore.
Ai ishte futbollisti që ndërmori depërtimin nga mesi i fushës drejt zonës së Holandës, aty ku u pengua nga mbrojtja, duke fituar një 11-metërsh që shpesh është cilësuar si kontradiktor, por që i dha mundësi Pol Brajtnerit të tregohej i saktë nga pika e bardhë dhe të barazonte shifrat, teksa Gjermania Perëndimore vijoi të triumfonte 2-1 në finale, duke siguruar titullin e dytë të kampiones së botës.
Holzenbein, që e nisi karrierën me skuadrën e të rinjve të Frankfurtit në vitin 1967, luajti për 14 sezone në Bundesligë, aty ku zhvilloi 524 ndeshje dhe shënoi 212 gola, por dha edhe 38 pasime për gol, ndërsa e mbylli karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai fitoi 3 herë Kupën e Gjermanisë, por edhe trofeun e Kupës UEFA, (tashmë Liga e Evropës), në vitin 1980 me Eintrahtin e Frankfurtit.
Ai u tërhoq nga futbolli në vitin 1983, ndërsa luajti edhe 40 ndeshje me fanelën e përfaqësueses së Gjermanisë, duke shënuar 5 gola. Holzenbein mbajti në vijim poste drejtuese te Frankfurti, deri në postin e zv/presidentit të klubit në vitin 1988, ndërsa nga viti 1994 deri në vitin 1966, kreu edhe detyrën e trajnerit të skuadrës.
Lini një Përgjigje