
Armando Broja është në shitje dhe Çelsi është gati ta lërë të largohet edhe nëse nuk do të blejë lojtarë tjetër për repartin e sulmit në janar. Ky është lajmi i bujshëm që vjen sot nga prestigjiozja “The Athletic”, që bën të ditur se “Blutë e Londrës” janë gati t’i japin lamtumirën sulmuesit të Kombëtares shqiptare që në janar.
“Çelsi ka dëshirë të lejojë Armando Brojën të largohet në mënyrë permanente dhe një largim i tij i mundshëm nuk është në varësi të blerjes së një zëvendësuesi nga Çelsi. Ka interes nga disa klube të ndryshme për sulmuesin 22-vjeçar, përfshirë Fullhemin, Uest Hemin dhe Ullvërhemptonin.
Çdo interes për një rekrutim të ri në janar apo në verë, nuk ka lidhje me situatën e Brojës, teksa Kristofer Nkunku pritet të kthehet nga dëmtimi shpejt”, shkruhet në artikullin e portalit të njohur sportiv britanik rreth transferimit të sulmuesit.
Një lajm i tillë, qartësisht hap ankandin për Brojën, me klubet e interesuara që tashmë duhet të bëjnë një propozim konkret për sulmuesin shqiptar, i cili kërkon të aktivizohet rregullisht. Pak ditë më parë u raportua se Çelsi kërkon 30 milionë paund për shitjen e kartonit të tij, duke frenuar disi interesimin e klubeve të tjera që mendojnë se kjo shifër është shumë e lartë.
Lini një Përgjigje