
Drita e drejtuar nga Zekeria Ramadani nuk ia del në takimin e parë të raundit të “play off-it” përballë Legias së Varshavës, duke u mposhtur me rezultatin e pastër 2-0, por mban të hapur kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Goli i parë për polakët u realizua në minutën e 56 nga Blaz Kramer, ndërsa Mark Gual vulosi shifrat përfundimtare 2-0 në minutën e 86 të takimit.
45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0. Episodet në këtë ndeshje nuk munguan, teksa Drita u “fik” nga VAR-i. Mesfushori ganez i ekipit shqiptar, Hasan Gomda u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje në kohë-vonesë ndaj lojtarit të Legias në minutën e 29 të kësaj sfide.
Pasi mori kartonin e kuq, Gomda u largua nga fusha me lot në sy, duke lënë të tijtë me 10 lojtarë në një sfidë shumë të rëndësishme.
Ndeshja e kthimit mes Dritës dhe Legias së Varshavës do të luhet të enjten e ardhshme më 29 gusht në Kosovë.
Lini një Përgjigje