
Emocione, spektakël por edhe shumë gola dhuruan disa nga ndeshjet e xhiros së pestë të grupeve në Champions League. Në grupin F, Dortmundi bëri gjithçka mirë ndaj Milanit në Milano, duke fituar 1-3. Lojtari më i spikatur i verdhezinjve në këtë duel ishte Adejemi, i dashuri “problematik” i këngëtares shqiptare Loderedana. Sulmuesi gjerman u fut nga stoli duke ndryshuar lojën e Dortmundit teksa shënoi edhe golin e tretë, ndërsa goli i dytë u realizua nga talenti Gitens.
Ndërkohë në sfidën tjetër, PSG-ja shmangu humbjen në minutën e 98, falë penalltisë së shndërruar në gol nga Mbape. Skuadra e dytë që kualifikohet në Grupin F do të vendoset në duelet e fundit. Njukasëlli pret Milanin, ndërsa PSG luan ndaj Dortmundit në transfertë.
Kështu, llogaritë në këtë grup janë të hapura, Dortmundi ka 10 pikë në krye, e ndjekur nga PSG me 7 pikë, 5 pikë ka Njukasëlli dhe 5 Milani.
Atletiko e Madridit ka siguruar një biletë të dyfishtë sot në Ligën e Kampioneve. Madrilenët mposhtën me shifrat 3-1 Fejnordin në fushën e këtyre të fundit dhe janë kualifikuar në këtë mënyrë njëkohësisht edhe Lacion.
Madrilenëve i erdhën në ndihmë autogolat e vendasve, të cilët shënuan dy të tillë, ndërsa ishin të pasaktë në tentativat e tyre para portës kundërshtare. Rezultati 3-1 çon Atletikon në vendin e parë në grup, teksa në të dytin është Lacio, me të cilën luan ndeshjen e ardhshme për të diskutuar se cila shkon në vazon kryesore në short.
Mançester Siti do të jetë në vazon e ekipeve kryesore në shortin e fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve. Skuadra e Pep Guardiolës e ka siguruar këtë duke fituar me shifrat 3-2 me përmbysje ndaj Lajpcigut.
Ishin gjermanët ata që befasuan vendasit me dy gola në pjesën e parë. Por në të dytin ishin Haland dhe Foden të cilët barazuan shifrat, ndërsa në fund ishte Alvarez, i cili i dha suksesin 3-2 skuadrës së tij.
Në ndeshjen tjetër në grup, Jang Bojs mundi 2-0 Crvena Zvezdën dhe bëri të sigurt pjesëmarrjen në Ligën e Europës në vijimin e sezonit.
Në grupin H, Barcelona fitoi 2-1 me Porton. Katalanasit kryesojnë me 12 pikë, ndërsa më pas vijnë Porto e Shaktari i Donjetskut që do diskutojnë një biletë për në fazën tjetër në ndeshjen direkte.
Lini një Përgjigje