
Nuk kanë fund peripecitë për Teofilus Solomon, ish-sulmuesi i Partizanit, i cili ishte kthyer në një yll të kampionatit kosovar të futbollit. Ai është arrestuar sot nga policia në Kosovë, pasi për të kishte fletë-arresti ndërkombëtar.
Klubi i Gjilanit, ku aktivizohet aktualisht, ka konfirmuar për “Indeks Online”, duke bërë të ditur se policia ka ndaluar lojtarin për shkak të kërkesës që ka ardhur nga Shqipëria.
Shkaku i arrestit është një ngjarje që ka ndodhur tre vite më parë, kur Solomon ishte ende pjesë e Partizanit në Superiore. Ai u akuzua se kishte dhunuar ish-të dashurën e tij shqiptare dhe kjo e fundit e pati denoncuar në polici, me lojtarin, i cili përfundoi edhe në vendin tonë një periudhë të gjatë pas hekurave derisa u la i lirë, në pritje të gjyqit.
Solomon luajti për Partizanin dy sezone më parë ndërsa më pas u transferua në Kosovë me skuadrën e Ballkanit dhe tani te Gjilani ku ka shënuar 6 gola.

Lini një Përgjigje