
Përfundon ndeshja e javës së 23 të Abissnet Superiore. Pas barazimit me Kastriotin dhe Teutën dhe humbjes me Partizanin, Erzeni është ndalur sërish. Shijakasit nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1 me Laçin. Kurbinasit fillojnë të japin “shenja jete”, teksa nuk merrnin pikë prej 3 ndeshjesh radhazi.
Sfida e luajtur në “Niko Dovana” u zhbllokua nga Ademi në minutën e 63. Një harkim i Kadriut nga e majta në shtyllën e dytë, gjeti Ademin, i cili u shfaq pas mbrojtjes dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje me kokë.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e shijakasve, Laçi barazoi shifrat në minutën e 90. Ujka mori topin në zonë dhe me një diagonale të shpejtë gjeti rrugën e rrjetës.
Me këtë barazim, Erzeni renditet në vendin e 5 në kuotën e 32 pikëve, ndërsa Laçi mban vendin e 6 me 30 pikë, duke rrezikuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje