TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Shkurt 2026, 17:46

Dështimi i Super Ligës së Europës gëzon Ceferin, kreu i UEFA-s: Kjo do t’i shërbejë vetëm futbollit, askujt tjetër

Shkruar nga Pamfleti

Dështimi i Super Ligës së Europës gëzon Ceferin, kreu i

Një ditë më parë u konfirmua zyrtarisht dështimi i projektit të Super League, i iniciuar në vitin 2021 si një alternativë ndaj kompeticioneve të organizuara nga UEFA. Projekti, i cili kishte hasur kundërshti të forta nga institucionet e futbollit evropian dhe nga një pjesë e madhe e opinionit sportiv, mbeti për një kohë të gjatë i mbështetur vetëm nga Real Madridi dhe Barcelona.

Së fundmi, edhe Real Madridi u tërhoq nga iniciativa, duke arritur një marrëveshje me UEFA-n, në atë që palët e kanë cilësuar si një hap “për të mirën e futbollit”.

Reagimi i UEFA-s

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një moment pozitiv për futbollin evropian.

Jam shumë i gëzuar që Real Madridi dhe Barcelona iu bashkuan edhe njëherë familjes sonë,” deklaroi Ceferin. “Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Florentino Perez, por kurrë nuk e humbëm respektin e ndërsjellë dhe dashurinë për këtë sport. Fitoi vetëm futbolli, askush tjetër.”

Sipas tij, uniteti i klubeve dhe institucioneve ka qenë thelbësor në ruajtjen e strukturës aktuale të garave evropiane.

“Triumfi i unitetit”

Ceferin theksoi se futbolli evropian ka kaluar sfida të shumta vitet e fundit, por ka arritur të mbetet i qëndrueshëm.

Jemi përballur me pandemi, luftë dhe tensione ekonomike, por futbolli evropian triumfoi sepse qëndruam të bashkuar,” u shpreh kreu i UEFA-s. “Si president i UEFA-s, përgjegjësia ime nuk është të shpik futbollin, por të veproj me përgjegjësi, duke evituar çështjet politike. Nuk do të ndëshkojmë kurrë federatat për punën e tyre, por do t’i ndëshkojmë kur përdoren nga qeveritë. E ardhmja e futbollit është e ndritur.”

Konteksti i projektit

Super League u prezantua në vitin 2021 si një kompeticion i ri, i pavarur nga UEFA, me pjesëmarrjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane. Megjithatë, projekti u përball me reagime të forta nga federatat, tifozët dhe institucionet sportive, çka çoi në tërheqjen e shumicës së klubeve pjesëmarrëse brenda pak ditësh nga shpallja fillestare.

Me tërheqjen e Real Madridit dhe arritjen e një marrëveshjeje me UEFA-n, projekti konsiderohet tashmë i mbyllur, duke rikthyer në qendër strukturën tradicionale të garave evropiane.

aleksandër ceferin presidenti i uefa-s superliga e europës

Lini një Përgjigje