Champions League rikthehet këtë mbrëmje me ndeshjet gjysmëfinale, duke shënuar hyrjen në fazën më vendimtare të turneut. Në orën 21:00, në stadiumin “Parc des Princes” në Paris, PSG përballet me gjermanët e Bayern Munich në një duel të shumëpritur.
Bayern Munich vjen në këtë përballje pasi ka siguruar titullin kampion në Bundesligë për të dytin vit radhazi dhe ka arritur gjithashtu në finalen e Kupës së Gjermanisë. Megjithatë, objektivi kryesor i bavarezëve mbetet Champions League, ku synojnë një vend në finalen e madhe.
Nga ana tjetër, PSG e drejtuar nga Luis Enrique kryeson në Ligue 1 dhe është shumë pranë titullit kampion. Skuadra franceze synon të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar, duke u mbështetur në formën e mirë që ka treguar në këtë kompeticion.
Rruga drejt gjysmëfinales ka qenë e fortë për të dyja ekipet: Bayern eliminoi Real Madridin, ndërsa PSG kaloi Liverpoolin duke fituar të dyja përballjet. Përballja në Paris pritet të jetë intensive dhe me ritëm të lartë, pasi të dy skuadrat njihen për stilin sulmues dhe lojën e hapur.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet të mërkurën, ku Atletico Madrid do të përballet me Arsenalin. Ndeshjet e kthimit për të dy çiftet janë planifikuar të luhen pas një jave.
Lini një Përgjigje