
Kampionati kombëtar i futbollit për vajza zhvilloi ndeshjet e javës së 11-të, një javë që u karakterizua nga rezultate të thella dhe një episod i pazakontë në Lushnjë.
Takimi i së dielës mes Lushnjës dhe Gramshit u mbyll para kohe, pasi skuadra vendase vendosi të mos rikthehej në fushë për pjesën e dytë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-19 në favor të Gramshit, ndërsa pas pushimit, ekipi lushnjar braktisi ndeshjen.
Vetëm një javë më parë, Lushnja kishte pësuar 28 gola në përballjen ndaj Teutës. Këtë herë, ndeshja nuk u çua deri në fund, ndërsa rasti pritet të shqyrtohet nga organet kompetente. Çështja do të trajtohet nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës, i cili do të marrë vendimet përkatëse në përputhje me rregulloret në fuqi.

Në sfidat e tjera të javës, Vllaznia vijon të dominojë kampionatin. Skuadra shkodrane mposhti Partizanin me rezultatin 10-0 në fushën e saj, duke regjistruar fitoren e dhjetë në po aq ndeshje të zhvilluara këtë sezon. Me pikë të plota, kuqeblutë kryesojnë renditjen dhe konfirmojnë formën e tyre të qëndrueshme.
Fitore bindëse arriti edhe Teuta, që triumfoi 2-5 në transfertë ndaj Egnatias, duke vijuar të mbetet në ndjekje të kreut. Ndërkohë, Kinostudio siguroi një tjetër sukses të rëndësishëm, duke fituar 5-0 përballë Atletik Klub në fushën e saj.
Java e 11-të nxori në pah diferencat e theksuara mes skuadrave, ndërsa pritet që vendimet disiplinore për ndeshjen e ndërprerë në Lushnjë të ndikojnë në vijimësinë e garës.

Lini një Përgjigje