TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Shkurt 2026, 15:14

Përgatitjet për “play off”-in me Poloninë, Silvinjo dhe stafi i tij zbresin në terren; ndjekin nga afër futbollistët kuqezi

Shkruar nga Pamfleti

Përgatitjet për “play off”-in me Poloninë, Silvinjo

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, ka intensifikuar përgatitjet në prag të ndeshjes së fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë.

Gjatë javëve të fundit, stafi kuqezi ka ndjekur nga afër disa takime të kampionatit “Abissnet Superiore”, me qëllim monitorimin e lojtarëve që aktivizohen në elitën e futbollit shqiptar.

Mes ndeshjeve të ndjekura kanë qenë përballjet Dinamo City – Vllaznia dhe Egnatia – Dinamo City. Sipas burimeve zyrtare, vëzhgimet kanë pasur në fokus evidentimin e formës sportive dhe gjendjes fizike të lojtarëve potencialë për grumbullim.

Paralelisht me kampionatin vendas, Silvinjo dhe stafi teknik kanë qenë të pranishëm edhe në disa takime ndërkombëtare.

Në Portugali, ata ndoqën ndeshjen e Europa League mes Portos dhe Rangers, ku u vlerësua nga afër paraqitja e mesfushorit të Kombëtares, Nedim Bajrami.

Ndërkohë, në Itali, stafi teknik ishte i pranishëm në sfidën Lazio – Atalanta, ku aktivizohen dy titullarë të përfaqësueses shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj.

Gjatë qëndrimit në Itali, trajneri zhvilloi një takim me kapitenin Berat Gjimshiti. Po ashtu, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua një vizitë me Elseid Hysaj, në kuadër të komunikimit me drejtuesit e ekipit përpara sfidës së “play-off”-it.

Këto takime, sipas praktikës së zakonshme të stafit teknik, synojnë koordinimin dhe qartësimin e objektivave përpara një përballjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Në javët në vijim, është programuar ndjekja e disa lojtarëve të tjerë të Kombëtares në ndeshjet me klubet e tyre, me qëllim vlerësimin e detajuar të formës fizike dhe sportive.

Përgatitjet për sfidën ndaj Polonisë vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa fokusi i stafit teknik mbetet maksimal në funksion të arritjes së objektivit në këtë fazë vendimtare të kualifikueseve për Botërorin 2026

silvinjo trajneri i kombëtares "play off" me poloninë

Lini një Përgjigje