
Karim Benzema ka ndarë së fundmi mendimet e tij mbi diferencat mes PSG-së dhe Realit të Madridit, gjatë një sesioni live në Instagram me reperin francez Rohf, të zhvilluar të enjten e kaluar. Ish-sulmuesi i “Los Blancos” vlerësoi punën e trajnerit Luis Enrike dhe evidentoi sfidat që, sipas tij, përballet klubi madrilen në menaxhimin e një skuadre me shumë yje.
Benzema u ndal tek organizimi i brendshëm i PSG-së, duke theksuar funksionimin efikas të skuadrës, veçanërisht në menaxhimin e rotacionit të lojtarëve.
“Te PSG-ja, ti i vendos titullarët dhe ata luajnë, por kur trajneri bën ndryshime në minutën e 60-të ose të 70-të, ata që hyjnë në fushë kontribuojnë edhe më shumë se ata që kanë qenë titullarë.”
Sipas tij, një nga elementët kyç të suksesit është qartësia taktike dhe roli i çdo lojtari në fushë.
“Të gjithë e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë.”
Në krahasim me PSG-në, Benzema vuri në dukje vështirësitë që, sipas tij, has Reali i Madridit për të ruajtur kohezionin në lojë.
“Te Reali i Madridit është më e komplikuar sepse ata nuk luajnë aq shumë si ekip; sot grupi po vuan nga ajo mungesë kohezioni.”
Ai sugjeroi se struktura e skuadrës dhe varësia mes lojtarëve në fushë ndikojnë në performancën kolektive.
Në përfundim, Benzema theksoi se suksesi aktual i PSG-së nuk lidhet thjesht me emrat e mëdhenj, por me mënyrën si funksionon skuadra si e tërë.
“Personi më i njohur te PSG është Luis Enrike, por ata janë një ekip i vërtetë. PSG nuk është një ekip yjesh, përveç Osmane Dembele, fituesit të Topit të Artë.”
Lini një Përgjigje