
Barcelona pritet të hyjë fuqishëm në tregun e mbrojtësve qendrorë verën e ardhshme, pas largimit të Inigo Martinez drejt Al-Nassr në Arabinë Saudite. Aktualisht, katalanasit kanë vetëm katër opsione në dispozicion dhe për shkak të vështirësive financiare nuk do të afrojnë zëvendësues këtë merkato, duke pritur që verën tjetër të përfitojnë nga tregu i lojtarëve të lirë.
Një nga emrat më surprizues që është lidhur me “Blaugranat” është ai i Ibrahima Konate. Mbrojtësi francez i Liverpool ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij në “Anfield” dhe deri tani nuk ka treguar dëshirë për rinovim, gjë që e bën një objektiv të nxehtë për klubet e mëdha.
Real Madrid ka shfaqur interes serioz për Konaten dhe po mendon të ndërhyjë që këtë verë për të siguruar shërbimet e tij, por sipas raporteve të Sempre Barca, edhe Barcelona ka nisur bisedimet paraprake me përfaqësuesit e lojtarit. Konate, nga ana tjetër, shihet i hapur për një transferim në “Spotify Camp Nou”, ku do të synonte të bëhej titullar përkrah Pau Cubarsi dhe Ronald Araujo.
Lini një Përgjigje