
Ecuria negative e Parisit do të merrte fund në duelin ndaj Lilës, edhe pse rezultati dëshmoi se ata nuk janë në formën e tyre më të mirë (e përfunduar 4-3).
Suksesi në limitet e kohës së rregullt nuk do ta lejonte Mbapenë me shokë t’i kënaqeshin plotësisht, pasi Nejmari do të dilte me barelë nga fusha e blertë. Nga raportimet e fundit të klubit parisien rezulton se braziliani 30-vjeçar ka dëmtuar ligamentin në atë ndrydhje të frikshme të këmbës.
Misteri më i madh mbi këtë lëndim lidhet me përfshirjen e tij në Mynih, e cila korrespondon me takimin e kthimit në Ligën e Kampioneve përballë bavarezëve, e planifikuar në datën 8 mars.
Vetëm para dy ditësh “Le Parisien” pohonte se futbollisti i “Seleçaos” do të ishte jashtë fushave për të pakën 3- javë, megjithatë drejtuesit e Parisit nuk kanë dalë me një vendim të prerë nëse lojtari me numër “10” në “Parc des Princes” do të jetë i gatshëm të jap kontributin e vyer në një moment kur klubi ka më shumë nevojë se kurrë në përmbysjen e rezultatit të parë (0-1).
Vlen të theksohet se në komunikatën në fjalë, dita e sotme do të ketë informacione më të detajuara mbi mundësinë e rikthimit dhe a do të ketë shpresa për t’u aktivizuar në tempullin e gjigandëve nga Mynihu.
Lini një Përgjigje