Arsenali kryeson Premier Ligën me një distancë prej tetë pikësh nga ndjekësit e Mançester Sitit. “The Citizens” kanë një ndeshje më pak dhe diferenca mund të zvogëlohet në pesë pikë, teksa në mes është një përballje direkte, e cila do të zhvillohet në “Etihad Stadium” më datë 26 prill.
Ndaj, kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, tek Arsenali nuk falen hapat fals. Megjithatë, tifozët e “The Gunners” besojnë se nën udhëheqjen e trajnerit Mikel Arteta, ky është sezoni i duhur për të festuar titullin që mungon prej vitit 2004. Madje, së fundmi po planifikohet edhe një Emirates i tejmbushur për ndeshjen e fundit të Premier Ligës më datë 28 maj ndaj Wolverhampton.
Të gjithë shpresojnë ta kthejnë në një ditë feste, ndërsa kanë nisur të shiten biletat. Dëshira për të mos munguar është e madhe dhe kjo bën që çmimi i biletave ndryshe nga zakonisht të mbërrijë në stratosferë. Kështu, nga ajo që bëhet e ditur nga Londra, një biletë për ndeshjen e fundit të sezonit të Arsenalit në Emirates shkon deri në 60.000 euro.
Zakonisht një biletë nuk kushton më shumë se 150 euro, por me entuziazmin dhe dëshirën për të përjetuar festën e një titulli që mungon gjatë, duket se tifozët e londinezëve janë gati të bëjnë çmenduri për të ndjekur nga pranë Xhakën me shokë të ngrejë lart në qiell trofeun e Premier Ligës.
Lini një Përgjigje