Arsenali ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Fulhamit, në derbin londinez të zhvilluar në stadiumin “Emirates”, në kuadër të javës së 35-të të Premier Ligë.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta e nisi ndeshjen në mënyrë të vrullshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 9-të. Pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Bukajo Saka, ishte Viktor Giokeres ai që dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 31-të, Arsenali mendoi se kishte dyfishuar rezultatin me Rikardo Kalafiorin, i cili realizoi me kokë pas një krosimi nga Leandro Troshard. Megjithatë, goli u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga sistemi VAR.
Avantazhi u dyfishua në minutën e 40-të, kur Saka shënoi golin e dytë për vendasit. Aksioni u ndërtua nga Gyokeres, ndërsa një devijim i mbrojtjes kundërshtare bëri që topi të përfundonte në rrjetë.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Giokeres realizoi edhe golin e tretë për Arsenalin dhe të dytin personal, duke shfrytëzuar një krosim të Troshard dhe duke shënuar me kokë. Ky ishte goli i 21-të për sulmuesin suedez në sezonin e tij të parë në Londër, në të gjitha kompeticionet.
Pjesa e dytë nuk prodhoi ndryshime në rezultat, me Arsenalin që administroi avantazhin deri në fund.
Pas kësaj fitoreje, Arsenali kryeson renditjen me 76 pikë, duke krijuar një diferencë prej 6 pikësh nga Mançester Siti, i cili ka ende dy ndeshje për të zhvilluar.
Kjo fitore është një mesazh për "qytetarët" që në luftën për trofeun, s'ka kompromise.
Lini një Përgjigje