
Armando Broja është rikthyer në fushë për Evertonin. Lojtari i Kombëtares shqiptare kaloi një periudhë jashtë fushës së blertë që zgjati dy muaj.
Aktivizimi i tij erdhi pikërisht në minutën e 79, ndërsa Evertoni po përballej me Uest Hem. Ndeshja ishte e vlefshme për Premier Ligën dhe përfundoi me barazim 1-1.
Për Brojën ishte një kthim i lumtur. Sulmuesi kuqezi u dëmtua në duelin e Kupës së Anglisë ndaj Peterburgut.
Vetëm një ditë para ndeshjes së Premier Ligës, 23-vjeçari u kthye më në fund në stërvitje të plotë me ekipin, ndërsa pak ditë më parë kishte bërë përgatitje të lehta.
Natyrisht, do të duhet shumë kujdes me një lojtar që këtë edicion ka luajtur vetëm 250 minuta, dhe që ka humbur 71 ndeshje pak më shumë se dy vjet, duke bërë pushim plot 465 ditë nga 821, pra më shumë se gjysmën e kohës.
Trajneri i kombëtares, Silvinjo, e ka ftuar në përfaqësuese për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës, ndërsa Broja ka luajtur për herë të fundit me fanelën kuqezi më 24 qershor të vitit të kaluar, në sfidën ndaj Spanjës në "EURO 2024".
Lini një Përgjigje