
Klubi i futbollit Astillero FC nga Ekuadori, që garon në Kategorinë e Dytë, është vënë në qendër të debatit publik pas publikimit të një hetimi gazetaresk nga gazetari investigativ Andersson Boscan. Në raportin e tij, Boscan ngre dyshime për parregullsi të rënda financiare dhe lidhje të mundshme të klubit me rrjete kriminale ndërkombëtare, përfshirë atë që ai e cilëson si “mafia shqiptare”.
Sipas mediave ekuadoriane, hetimi evidenton një mospërputhje të theksuar mes shpenzimeve dhe të ardhurave të deklaruara të klubit. Boscan pohon se gjatë vitit 2023, Astillero FC ka regjistruar rreth 3.5 milionë dollarë amerikanë shpenzime, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara nuk kanë tejkaluar 100 mijë dollarë. Diferenca prej më shumë se 3 milionë dollarësh konsiderohet nga gazetari si një nga pikat më problematike të raportit.
Hetimi thekson se nivele të larta shpenzimesh janë mbajtur edhe në vitet pasuese. Për vitin 2024, shpenzimet e klubit thuhet se kanë arritur në rreth 2.7 milionë dollarë, ndërsa për vitin 2025 rreth 1.8 milionë dollarë. Vetëm për paga të skuadrës profesionale, shpenzimet vjetore llogariten rreth 500 mijë dollarë.
Boscan vë në dyshim edhe burimet e deklaruara të financimit, veçanërisht të ardhurat e supozuara nga marrja me qira e fushave sportive. Sipas analizës së tij, këto të ardhura janë të vështira për t’u justifikuar në aspektin operativ dhe ekonomik.
Në raport, gazetari lidh origjinën e mundshme të financimeve me Héctor Pesantes Sangurima, themelues dhe ish-drejtor i Astillero FC. Ai e lidh Pesantes Sangurimën me kompaninë private të sigurisë Agusegpro, e cila, sipas Boscan, është përmendur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit në një hetim lidhur me dyshime për bashkëpunim me një rrjet kriminal ndërkombëtar të lidhur me mafian shqiptare.
Gazetari thekson se bëhet fjalë për akuza dhe dyshime nën hetim, dhe jo për vendime të formës së prerë nga organet e drejtësisë.
Pas publikimit të raportit, Klubi i Futbollit Astillero reagoi me një deklaratë zyrtare, ku mohon kategorikisht çdo lidhje me aktivitete të paligjshme apo rrjete kriminale. Në reagimin e tij, klubi i cilëson akuzat si të pabazuara dhe thekson se ato dëmtojnë imazhin, reputacionin dhe integritetin e institucionit dhe anëtarëve të tij.
Lini një Përgjigje