
Mançester Junajtid po shqyrton sërish opsionet afatgjata për stolin e skuadrës, teksa kërkimi për pasuesin e përhershëm të Ruben Amorim vazhdon. Teksa Majkëll Kerrik ka arritur të stabilizojë situatën si trajner i përkohshëm, emri i Zinedin Zidan po rikthehet fuqishëm në “Old Trafford”.
Kërkimi për pasuesin e përhershëm të Amorim
Me sezonin 2025–2026 që po i afrohet fazës përfundimtare, Mançester Junjatid ndodhet në një tjetër moment kyç. Periudha e trazuar nën drejtimin e Ruben Amorim ka shtyrë drejtuesit të kërkojnë një figurë që të sjellë stabilitet afatgjatë në një klub që vitet e fundit është shquar për ndryshime të shpeshta trajnerësh.
Majkëll Kerrik, aktualisht në rolin e trajnerit të përkohshëm, ka dhënë sinjale pozitive, duke rikthyer qetësinë dhe identitetin e skuadrës, përfshirë edhe tri fitore radhazi. Megjithatë, ideja e emërimit të një trajneri me profil të lartë mbetet e pranishme në ambientet e klubit.
Një nga emrat që përmendet vazhdimisht është Zinedin Zidan. Francezi është pa skuadër që prej largimit të dytë nga Reali i Madridit në vitin 2021, dhe mungesa e tij në pankinat e futbollit mbetet një nga enigmat e mëdhenj të këtij sporti. Zidan ka refuzuar disa oferta nga klube të mëdha evropiane, me spekulimet që sugjerojnë se ai është duke pritur një mundësi për të drejtuar përfaqësuesen e Francës. Megjithatë, me stabilitetin aktual në kombëtare, mbetet e hapur pyetja nëse ai do të tundohej nga Premier Liga.
Ues Braun mbështet Zidan
Ish-mbrojtësi i Mançester Junjatid, Ues Braun, beson se profili i Zidan përputhet me kërkesat e klubit. Duke folur për "Betting Lounge", Braun e cilësoi francezin si një kandidat ideal, nëse Junajtid vendos të ndryshojë trajner këtë verë.
“Junajtid ka pasur shumë trajnerë të mëdhenj dhe kjo e bën situatën të vështirë,” u shpreh Braun. “Unë do ta përmendja Zinedin Zidan. Do ta doja shumë një gjë të tillë. Por gjithçka lidhet me personalitetet.”
Sipas Braun, Zidan ka aurën dhe autoritetin e nevojshëm për të komanduar një dhomë zhveshjeje që ka përjetuar disa eksperimente të pasuksesshme me trajnerë të njohur. Ai shtoi se një emër i tillë do të sillte jo vetëm respekt të menjëhershëm nga lojtarët, por edhe entuziazëm te tifozët. Megjithatë, Braun theksoi se çdo emërim duhet të jetë i harmonizuar plotësisht me strukturën e klubit, për të shmangur konfliktet e së kaluarës.
Dilema e përvojës në Premier Ligë
Një tjetër shqetësim për drejtuesit e Junajtid lidhet me mungesën e përvojës në Premier Ligë për trajnerët që vijnë nga kampionate të tjera. Braun kujtoi vështirësitë që hasën Erik ten Hag dhe Ruben Amorim në përshtatje, gjë që çoi në mungesë stabiliteti dhe konflikte të brendshme.
“A do të funksionojë marrja e dikujt që nuk ka punuar më parë në Premier Ligë? Kjo është një pikë shumë e rëndësishme,” tha Braun. “Nuk duhet të përfundojmë në të njëjtën situatë si me Erik ten Hag apo Ruben Amorim. Gjithçka duhet të jetë e qartë që nga dita e parë: rolet, struktura dhe pritshmëritë.”
Në këtë kontekst, emri i Zinedin Zidan mbetet një opsion prestigjioz, por edhe një vendim që kërkon vlerësim të kujdesshëm nga bordi i Mançester Junajtid.
Lini një Përgjigje