
Kandidatja për presidente e Francës ka mbajtur qendrim për marrëdhëniet e Benzemas me Islamin e “radikal”.
Marin Lë Pen, një politikane franceze që kandidoi për presidencën e vendit të saj në vitet 2012, 2017 dhe 2022, akuzoi Karim Benzemanë për “simpatizim ndaj Islamit radikal”.
Të dielën e kaluar, sulmuesi francez i Al Itihad, bëri një postim në rrjetin social X (ish-Twitter), me një mesazh mbështetjeje për palestinezët e Gazës: “Lutjet tona shkojnë për popullin e Gazës, sërish viktima të një bombardimi të padrejtë që nuk kursen as gratë e as fëmijët”, ka shkruar lojtari 35-vjeçar.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, tha të hënën në një intervistë për kanalin televiziv “CNews” se Benzema “ka lidhje famëkeqe me Vëllazërinë Myslimane”, ndërsa senatori francez Valeri Buget kërkoi heqjen e nënshtetësisë dhe rikthimin e “Topit të Artë” nga Karim Benzema.
“Ka disa vite që kemi vërejtur se pozicionet e Benzemasë po shkojnë drejt një Islami ‘të ashpër’, i cili konsiston në përhapjen e rregullave islame në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, veçanërish në sport. Sulmuesi refuzoi të këndonte himnin kombëtar të Francës”, tha Gerald Darmanin, i pyetur për këtë çështje nga “RMC”.
Në një emision në radion e sipërpërmendur, Marin Lë Pen tha për këtë çështje: “Nuk kam informacion të saktë nga Gerald Darmanin, por e sigurt është se zoti Benzema, i cili nuk jeton më në Francë, ka qartazi simpati për islamin radikal, të cilin disa mund ta quajnë fondamentalizëm islamik. Megjithatë, kurrë nuk e kam dëgjuar Gerald Darmanin duke bërë thirrje për ndalimin e Vëllazërisë Myslimane”, theksoi ajo.
Ig Vezier, avokati i Karim Benzemasë ka njoftuar tashmë se do të ngrejë padi kundër ministrit të Brendshëm francez për “informacion të rremë dhe fyerje publike”.
Lini një Përgjigje