TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Prill 2026, 16:15

200 mijë euro për alkool, eskorta dhe substanca të ndaluara; hetimet në Milano zbardhin skandalin e futbollistëve të Serisë A

Shkruar nga Pamfleti

200 mijë euro për alkool, eskorta dhe substanca të ndaluara;

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me një skandal në Milano, që përfshin organizimin e festave luksoze me përdorim të lëndëve të ndaluara dhe shërbime eskortash, ku raportohet se kanë marrë pjesë edhe futbollistë të Serisë A dhe pilotë të Formula 1. Sipas hetimeve paraprake, lojtarë të ndryshëm dyshohet se kanë transferuar rreth 200 mijë euro për këto shërbime.

Aktualisht, autoritetet po hetojnë llogaritë bankare të personave të arrestuar, të dyshuar si drejtues të një rrjeti prostitucioni. Një pjesë e fondeve dyshohet se është transferuar drejt Libanit.

Dëshmitë dhe mënyra e operimit

Kanë nisur seancat e para dëgjimore, ku po merren në pyetje kryesisht vajza që frekuentonin futbollistët. Sipas dëshmive, ato i drejtoheshin agjencisë së eventeve “Ma.De.” për organizimin e mbrëmjeve në klubet e natës në Milano. Këto aktivitete, në disa raste, përfundonin në ambiente hotelesh, ku ofroheshin shërbime eskorte me pagesa që arrinin deri në 1,000 euro për natë.

Arrestimet dhe akuzat

Hetimi i zhvilluar nga autoritetet e Milanos ka çuar në arrest shtëpiak të katër personave, mes tyre Deborah Ronçi, pronare e agjencisë “Ma.De.”, dhe partneri i saj Emanuele Butini. Ata akuzohen si organizatorë të një strukture kriminale që synonte shfrytëzimin e prostitucionit, si dhe aktivitete të tjera të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave.

Fluksi financiar dhe përmasat e skandalit

Hetuesit po përqendrohen në gjurmimin e flukseve financiare që, sipas dyshimeve, kanë gjeneruar mbi 1.2 milion euro në më pak se dy vite aktivitet. Të paktën 200 mijë euro mendohet se janë transferuar nga futbollistë përmes pagesave bankare, shpesh pas ndeshjeve të zhvilluara në stadiumin “San Siro”.

Në këtë çështje përmenden lojtarë nga disa klube të Serisë A, përfshirë Interin, Milanin, Juventusin, Torinon, Sasuolon dhe Veronën. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk rezulton aktualisht nën hetim.

Dokumentet dhe provat

Sipas dokumenteve hetimore, rreth 70 emra futbollistësh janë përdorur si referencë për kontrollin e të dhënave në telefonat e sekuestruar. Qëllimi ka qenë verifikimi i lidhjeve mes organizatës, sportistëve dhe vajzave të dyshuara për prostitucion, të moshës 19-21 vjeç.

Deri tani, është konfirmuar kontakt i drejtpërdrejtë vetëm mes një grupi të vogël vajzash dhe katër ose pesë futbollistëve, të cilët dyshohet se kanë paguar për marrëdhënie seksuale. Ata pritet të merren në pyetje si dëshmitarë.

Qëndrimi i medias dhe hetimet financiare

Media italiane “Corriere della Sera” ka vendosur të mos publikojë emrat e personave të përfshirë për shkak të respektimit të privatësisë, të paktën deri në qartësimin e rolit të tyre në aktivitetet e dyshuara të paligjshme.

Ndërkohë, Guardia di Finanza ka identifikuar rrjedhën e parave drejt kompanisë “Ma.De.”, përfshirë pagesat e konsiderueshme për festa që arrinin deri në 3,500 euro secila. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se cilat prej këtyre pagesave lidhen drejtpërdrejt me shërbimet e eskortave, të cilat, sipas dyshimeve, dorëzonin 50% të fitimeve të tyre tek organizata.

Gjithashtu, ka indicie se një pjesë e të ardhurave mund të jetë transferuar fillimisht në llogari bankare në Lituani dhe më pas në destinacione të tjera.

skandali me eskortat futbollistët e serisë a

Lini një Përgjigje