TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Prill 2026, 10:07

Shpërdoroi 700 mijë euro fonde të UEFA-s, arrestohet ish-presidenti shqiptar i Federatës së Futbollit në RMV

Shkruar nga Pamfleti

Shpërdoroi 700 mijë euro fonde të UEFA-s, arrestohet

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është arrestuar ish-presidenti shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, nën dyshimet për keqpërdorim të fondeve financiare në vlerë rreth 700 mijë euro, të siguruara nga UEFA, raportojnë mediat në vendin fqinj.

Sipas të dhënave paraprake, fondet ishin të destinuara për zhvillimin e futbollit, ndërsa organet e hetuesisë po verifikojnë mënyrën se si ato janë menaxhuar dhe përdorur.

Dyshimet lidhen konkretisht me një projekt për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit, ku ekziston indicia se shumat mund të jenë shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme. Operacioni është zhvilluar nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Maqedonisë së Veriut.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se drejtuesit e rinj të FFM-së, pas marrjes së detyrës, kanë konstatuar parregullsi dhe kanë depozituar kallëzime pranë institucioneve përkatëse.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa priten informacione të tjera nga autoritetet.

Më herët, më 6 shkurt të këtij viti, Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Komiteti Disiplinor kishte vendosur një gjobë ndaj Sejdinit në lidhje me një pagesë paraprake prej rreth 700 mijë eurosh për një kompani ndërtimi të angazhuar në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

Në atë kohë, ai u ndëshkua edhe me ndalim për të ushtruar funksione si delegat në Asamblenë e FFM-së për një periudhë dyvjeçare, për shkak të shkeljeve të përcaktuara në Rregulloren Disiplinore.

Sejdini mori drejtimin e FFM-së në vitin 2018 dhe gjatë mandatit të tij Maqedonia e Veriut arriti një sukses historik duke u kualifikuar në Euro 2020. Ai u largua nga posti në vitin 2024, pas përfundimit të mandatit të tij.

Lini një Përgjigje