
Në një intervistë për “Ftesë në 5”, Kryemadhi u shpreh se gjithmonë ka qenë e sinqertë në deklarata, pavarësisht rrethanave personale apo politike.
“Unë edhe kur kam qenë e martuar, nuk kam pasur filtra për deklaratat. Nuk e kam pasur kurrë mentalitetin se çfarë do më thonë të tjerët. Tani aq më pak”, tha ajo me humor.
E pyetur nëse beson ende te dashuria pas divorcit, Kryemadhi u përgjigj pa hezitim:
“Besoj te dashuria, është kryesore, ngroh shpirtin”.
Megjithatë, përgjigjet e saj lanë të kuptohet qartë se Ilir Meta mbetet dashuria më e rëndësishme e jetës së saj, pavarësisht ndarjes.
“Nuk mendoj se jam në fazë për t’u dashuruar, sepse unë e kam dashurinë time. Dashuria ime me ish-bashkëshortin ka kaluar në shumë sfida dhe edhe kur vjen një moment që mbaron dashuria, nuk do të thotë që mbaron dashuria nga ana tjetër”.
Kryemadhi theksoi se një lidhje e re nuk është prioritet për të, duke e cilësuar Metën si dashurinë e saj të parë dhe të fundit.
“Për fatin tim të mirë ose të keq, Meta ka qenë dashuria e parë dhe e fundit. E gjithë jeta ime politike ka filluar me Metën në krahë. Politika na bashkoi dhe politika na ndau”.
Ajo rrëfeu gjithashtu se ndjenjat e saj kanë qenë të thella dhe të sinqerta:
“Nuk e kam parë kurrë marrëdhënien tonë si diçka në kurriz të politikës. E kam dashur ndoshta më shumë se sa më ka dashur ai dhe kur ndodh kështu, je akoma e ‘ngopur’ për të kërkuar një dashuri tjetër”.
Deklaratat e Kryemadhit kanë ngjallur reagime dhe diskutime, duke e kthyer intervistën në një nga momentet më të komentuara të ditës.
Lini një Përgjigje